Politike

Propozimi, zyrtarët që ‘vjedhin’ shtetin duhet ta zhdëmtojnë nga xhepi i tyre

Punonjësit publikë që dëmtojnë interesat financiare të shtetit gjatë ushtrimit të detyrave të tyre të përditshme, me ose pa dashje duhet të ndëshkohen edhe financiarisht. Nisma është dorëzuar në formën e një projektligji nga deputeti i PD-së, Bujar Leskaj.

Projektligji për përgjegjësinë financiare të punonjësve publikë, thotë Leskaj në relacionin shoqërues, ka për synim kryesor mbrojtjen e burimeve publike nga veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve publikë, që me dashje, ose nga apakujdesia u shkaktojnë dëme interesave shtetërore.

Sipas deputetit demokrat të Qarkut të Vlorës, propozimi i tij do të ketë efekte parandaluese në përdorimin abuziv të fondeve dhe burimeve të shtetit dhe do të jetë një mekanizëm ekstra për të luftuar korrupsionin.

Duke shfrytëzuar përvojën si drejtues i Kontrollit të Lartë të Shtetit, post të cilin e mbajti deri para se të zgjidhej deputet, Bujar Leskaj citon se drafti është edhe një kërkesë e hershme e KLSH-së, si mekanizëm për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet në zyrat e shtetit.

Në nenet e tij ligji përcakton edhe llojet e përgjegjësisë financiare të punonjësve publikë.

“Nevoja e këtij projektligji buron nga kontradikta e dukshme që ekziston mes dëmeve të shkaktuara ndaj burimeve publike nga punonjësit publikë gjatë ushtrimit të ddetyrës, përkundër rikuperimit të tyre në arkën e shtetit. Projektligji është një instrument plotësues dhe në sinkron me politikën e Qeverisë dhe strategjinë e saj antikorrupsion”, thotë Leskaj në relacion.

Deputeti demokrat mendon se ndëshkimet disiplinore dhe administrative ndaj punonjësve publikë janë të pamjaftueshme dhe nuk frenojnë korrupsionin në zyrat e shtetit. Ai deklaron se vetë legjislacioni aktual sanksionon se rikuperimi i dëmeve që i bëhet shtetit nga nëpunësit bëhet vetëm nga gjykata.

Sipas propozimit të Bujar Leskajt, ligji duhet të shtrihet në të gjitha institucionet shtetërore, entet dhe kompanitë ku shteti shqiptar zotëron më shumë se 50 për qind të aksioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë