Liga Profesioniste dhe qeveria nuk e po e gjejnë ende gjuhën e përbashkët dhe bojkoti i kampionatit të Superiores vazhdon. Më 10 tetor Liga Profesioniste kishte paralajmëruar një protestë masive të klubeve të futbollit në kryeqytet, por sipas të gjitha gjasave, kjo protestë do të shtyhet.
E pohon për Gazeta Si, sekretari i Ligës Profesioniste, Dritan Kadia, i cili shprehet: “Jemi duke u marrë me pjesën e organizimit, me detajet, por me shumë gjasa, protesta e 10 tetorit do të shtyhet. Jemi me ethet e punës. Arsyet janë të ndryshme, sepse nuk është e lehtë të organizosh një protestë masive. Nuk është njësoj si të organizosh një ndeshje futbolli dhe një protestë me 500 veta. Pastaj, fokusi është te ndeshjet e Kombëtares në këtë moment, kështu që protesta mund të shtyhet”.

Drejtuesi i lartë i Ligës Profesioniste, i pyetur në lidhje me nisjen e kampionatit dhe deklaratën e presidentit të Tiranës, Refik Halili, i cili foli për fillimin e garës pas ndeshjeve të Kombëtares, tha se nuk ka asnjë datë zyrtare deri në këtë moment.
“Nuk ka një vendim për një datë zyrtare për fillimin e kampionatit. Po të kishte, do të ishte bërë publike. Deklarata e Halilit? Nuk e di, është një ndjesi personale e tij, një opinion i tij, jo i Ligës. Halili është një nga treshja negociatore me qeverinë, por është edhe një nga 10 presidentët e Ligës. Edhe unë dua që futbolli të nisë që nesër, kam dëshirë të ndodhë kështu, pasi na ka marrë malli për futboll, por nuk është në dorën time”, – saktësoi sekretari i Ligës Profesioniste, Dritan Kadia.
Gazeta Si ka kontaktuar edhe zyrtarë të FSHF-së sa i takon çështjes së fillimit të kampionatit. Përgjigja e tyre është se janë në pritje të vendimit të Ligës Profesioniste. “Ne jemi në pritje. Liga Profesioniste ka bërë një kërkesë për bojkotin e kampionatit, FSHF-ja e ka miratuar dhe tani pret një vendim tjetër nga Liga”, – tha një burim i Gazeta Si pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.
Data më e përfolur për fillimin e kampionatit është 17 tetori, pasi të jenë luajtur dy ndeshjet e Ligës së Kombeve nga Kombëtarja jonë, por mungon data zyrtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje