Dhjetëra shqiptarë që jetojnë e punojnë në Amerikës u mblodhën të dielën përpara Shtëpisë së Bardhë për të protestuar jo vetëm kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, por edhe sipas tyre, kundër ndërhyrjes së miliarderit George Soros në politikën shqiptare.
Duke mbajtur pankarta që i kërkonin Soros të qëndronte larg punëve të Shqipërisë, ata i kërkuan Presidentit amerikan Donald Trump që të tregojë vëmendje për atë që po ndodh në vendin tonë. Ata kishin ardhur nga Bostoni, Nju Jorku, Nju Xhersi, Pensivania dhe Miçigani. Protesta u zhvillua në sheshin përballë Shtëpisë së Bardhë, aty ku normalisht e diela është e mbushur me vizitorë.
Duke folur për Zërin e Amerikës shqiptaro-amerikanët e mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë thanë se kishin dalë të protestonin kundër miliarderit me origjinë hungareze, sepse sipas tyre Soros po destabilizon një vend të NATO-s, siç është Shqipëria. Besnik Xhama nga Nju Xhersi beson se miliarderi George Soros ka ndikuar për vendosjen e një të majte ekstreme në Shqipëri.

“George Sorosi duhet të largohet një orë e më parë nga politika shqiptare, sepse ka ndikuar negativisht. Si biznesmen mund të jetë shumë i suksesshëm dhe i respektuar, por në politikën shqiptare ka ndikuar shumë keq, sepse ka instaluar të majtën ekstreme. George Sorosi ka ndikuar në farsën e reformës në drejtësi dhe po instalon njerëzit e Edi Ramës në të gjitha pozicionet kyçe të reformës në drejtësi”, deklaroi ai.
Muhamet Omari nga Nju Jorku, thotë se ka disa lutje në adresë së presidentit amerikan:
“Në radhë të parë kërkojmë vendosjen e një ambasadori i cili ta kuptojë politikën shqiptare. Kjo është shumë e rëndësishme sepse shumë të tjerë nuk e kanë kuptuar. Ka filluar një erdoganizëm në politikën shqiptare, duke filluar nga propaganda, nga filmat, nga ekonomia, nga zaptimi i bankave dhe i ushtrisë. E gjithë kjo në Shqipëri, po bëhet jashtë vëmendjes së politikës amerikane.”
“Ai po ndërhyn në çdo cep. Sipas informacioneve, ka hedhur shumë lekë në reformën në drejtësi, në një reformë që po dështon. Po shikojmë njerëz që po kualifikohen, disa prej të cilëve edhe nuk e meritojnë të kualifikohen” thotë Ervis Zholi, veprimtar i Degës së Vatrës në Miçigan.
Protestuesit thanë se ishin njoftuar përmes rrjeteve sociale për tubimin. “Nuk jemi pjesë e ndonjë organizate, as e ndonjë partie. Thjesht jemi shqiptarë që na interesojnë të drejtat dhe liritë e popullit tonë, të cilat janë të mohuara nga qeveria aktuale, që është e kapur nga krimi, nga korrupsioni” thotë Vera Matoshi nga Nju Jorku.

“Gjithë Shqipëria ndodhet në një kurth të tmerrshëm nga një mafie që e ka gllabëruar dhe po e vjedh përditë. Është e pamundur që ata të lëvizin. Prandaj kam ardhur t’i kërkoj ndihmë Presidentit Trump. Ai duhet të dërgojë gjykatës dhe prokurorë. Vetëm gjykatës dhe prokurorë amerikanë mund ta ndryshojnë atë vend,” thotë Viron Xhavara, banues në Filadelfia.
Protestës së shqiptarëvë të Amerikës iu përgjigj në Tiranë presidenti Ilir Meta, i cili shprehet se Shqipëria nuk do të kthehet kurrë më një shtet një-partiak.
“Mirënjohje të gjithë shqiptarëve të mbledhur dje në Uashington DC para Shtëpisë së Bardhë, të cilët lanë punët e tyre dhe i bashkoi shqetësimi për të ardhmen e Shqipërisë, duke konfirmuar aleancën e pathyeshme të kombit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkrahja e tyre më shumëfishoi forcat, ndaj si President i Republikës kam besim tek komuniteti i ndershëm shqiptaro-amerikan, për të mbrojtur dhe forcuar së bashku këtë aleancë strategjike!”, shkruan presidenti në një postim në Facebook, duke iu kërkuar shqiptarëve të qëndrojnë të vendosur.

“Të qendrojmë të fortë jo për të marrë një vizë amerikane, por për të mbrojtur idealet amerikane të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, që janë jo vetëm idealet e SHBA, por edhe të qytetërimit botëror ku ne bëjmë pjesë. Shqipëria nuk do të kthehet kurrë më në “one-party state”! Ne jemi anëtarë të NATO-s dhe në zemër të kësaj Aleance është demokracia”, përfundon Meta në reagimin e tij.
Nga ana tjetër, Organizata panshqiptare Vatra ka bërë të ditur nuk ka marrë pjesë në organizimin e protestës, por shprehu mbështetje për protestuesit, duke dërguar përfaqësuesit e saj. Agim Rexha, nënkryetar i Vatrës, kishte këtë lutje për Presidentin amerikan Donald Trump:
“Të shohë me vemendje çfarë bën Xhorxh Sorosi në Shqipëri. Të shpëtojë Shqipërinë nga ‘Rama Reform’ që po shkatërron drejtësinë shqiptare dhe që e ka lënë pa gjykatën kushtetuese, pa gjykatën e lartë dhe ngadalë pa gjykata.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje