Lajme

Protesta në Tiranë, Rama në Berat takon operatorët turistikë

Teksa para godinës së Kryeministrisë ka nisur protesta e opozitës së bashkuar, kryeministri Rama sërish nuk gjendet në Tiranë. Ai ndodhet në qytetin e Beratit, në turin e radhës, këtë herë me operatorët turistikë të qarkut.
Gjatë fjalës së mbajtur me 200 operatorët turistikë, kryeministri ka folur për një program për kthimin e shtëpive tradicionale në bujtina.
“Parafytyroni çfarë do kishin bërë fqinjët nëse do kishin Beratin dhe Gjirokastrën, më tregoni një rast të vetëm, në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Greqi, Bosnjë po të doni, që ka pasur dhe luftë, që një pasuri e tillë të jetë lënë me vite të tëra si u la Berati dhe Gjirokastra. Më tregoni një rast të vetëm, e të gjesh njerëz të varfër, familje që jetojnë falë emigracionit të fëmijëve të tyre, nuk ekzistojnë, e kam thënë atëherë e sot e rithem. Sot ka filluar kthesa. Kemi program për kthimin e shtëpive tradicionale të kthehen në bujtina. Në katër vitet e ardhshme do të rriten vizitorët. Këtu është një hapësirë e mrekullueshme për të krijuar atraksion të madh për njerëzit”, tha Rama, duke theksuar se situata nuk ka krahasim me atë që ishte 4 vite më parë.
Edhe ministri Klosi u shpreh se Berati do të kthehet në atraksion. Madje, ai ka thumbuar edhe opozitën duke thënë se të gjitha programet do të realizohen pavarësisht protestës së opozitës.
“Mundi do të fitojë mbi çjerrjet e protestës së Tiranës. Meqë e duan me Zot, edhe Abaz Aliu do ta bekojë këtë, Berati do të kthehet në atraksion duan apo nuk duan ata në Tiranë”, tha ndër të tjera Klosi.
Pas vizitës në Berat, mësohet se Rama do të niset drejt Poliçanit. Edhe në protestën e 16 shkurtit para godinës së Kryeministrisë, Edi Rama zgjodhi të largohet nga Tirana në drejtim të Vlorës për të zhvilluar disa takime në këtë qytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë