Ndërkohë që studentët para parlamentit, kryeministri Rama nga foltorja e ka cilësuar këtë protestë si një protestë që i dha një shuplakë qeverisë si dhe një grusht opozitës. Po ashtu akuzon opozitën se ka ndërhyrë dhe po drejton protestën e studentëve.
“Studentët kanë të drejtë të na nxjerrin të gjithëve jashtë. Ndërkohë juve ju kanë nxjerrë jashtë se u detyruat të hidheni në ilegalitet dhe ta ndikoni protestën të maskuar. Tani për të mos humbur kohë. Dje janë formuar dhe organet e para të drejtësisë së re, KLP dhe KLGJ, pasi u krijuar dhe KED.
Ndërkohë që sa i përket propozimit të tyre nuk është çështje as proceduriale, as çështje buxheti që është te Presidenti, propozimet e tyre janë të refuzuara, sepse janë propozime të bëra për të mos u bërë kurrë. Leximi im i protestës së studentëve shumë shkurt. E para, protesta i dha një shuplakë qeverisë.
E dyta, protesta i dha një grusht opozitës. E treta, protesta i dha një shpresë shoqërisë. Shoqëria kërkon zgjidhje dhe nuk mund ta pranojë që zgjidhja mund të vijë me porosi nga Doktoresha e Shkencave Monika Kryemadhi, Profesor Lulzim Mziu, apo Profesor Qorri. Zgjidhja vjen me dialog, opozita kërkon vetëm bllokim të zgjidhjes sepse kërkon që të nxjerrë gështenjat nga zjarri duke futur studentët në qorr sokak”, u shpreh kreu i qeverisë.
Sa i përket zgjidhjes, kreu i qeverisë ashtu siç ka deklaruar prej ditësh, edhe në fjalën e tij në parlament la të hapur vetëm mundësinë e dialogut.
“Këto 8 pika nuk mund të plotësohen si një kërkesë në dyqan. Pikat nuk janë vetëm çfarë, pikat janë dhe si. Nuk është çështja a duam a s’duam. Ne jemi përgatitur jo vetëm për çfarë por edhe për si, por kjo duhet diskutuar me studentë.
Si mund të them po, pa i parë në sy e pa dialoguar me ta”, u shpreh kryeministri.
Por kauza e studentëve që po protestojnë për 9 ditë radhazi, e ka kthyer edhe opozitën në seancën e sotme plenare. Në Kuvend ka përfaqësi si nga Partia Demokratike dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Nga PD të pranishëm në sallën e Kuvendit janë deputeti Ervin Salianji, Izmira Ulqinaku, Valentina Duka si dhe Luçiano Boçi. Ndërkohë, nga LSI janë Petrit Vasili, Luan Rama, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi.
Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj deklaroi nga foltorja e Parlamentit: Kjo arrogancë ju solli në këtë ditë. Na lini të flasim ne të rinjtë, që i njohim hallet e studentëve. Ky parlament i kapur duhet të ishte i studentëve. Ne jemi këtu për studentët. Amendamentet, ja ku e keni zgjidhjen. Ky parlament që është i kapur nuk mendon dot për studentët. Studentët janë krenaria jonë më e madhe, ata i sollën këtij vendi shpresën që i humbët ju. Këto amendamente janë vetëm fillimi”.
Ndërkohë, para parlamentit vijon protesta e studentëve të të gjitha fakulteteve të Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje