Prej ditës së premte, Uzina e Përpunimit të Naftës në Ballsh ka ndalur punën në përpunimin e naftës bruto dhe punonjësit kanë vijuar me protestën e tyre.
Sot punonjësit janë pa punë, pasi ka ndalur uzina, e cila nuk furnizohet me naftë bruto nga ALBPETROL dhe BANKERS. Sipas punonjësve, kompania BANKERS nuk ka zbatuar marrëveshjen e nënshkruar për furnizimin me naftë bruto te “Tosk Energy” ,“Bylis Energy”.
Po ashtu, sipas tyre, kompania prodhuese e naftës duhet të furnizojë me naftë bruto për përpunim këto dy kompani vendëse në një sasi prej 50 mijë ton në muaj, por në fakt kjo sasi nuk ka qenë e plotë edhe më parë, por ka shkuar deri në 20-22 mijë ton.
Pas dy ditëve protestë nga ana e naftëtarëve në Fier ka reaguar dhe kompania Bankers Petroleum Albania Ltd. Sipas kompanisë fajtore për situatën është Tosk Energji dhe jo Bankers. Bankers Petroleum thotë se punonjësit janë duke u përdorur si presion kundrejt saj kur në fakt është Tosk Energji që ka dështuar në përmbushjen e termave të kontratës dhe në mbajtjen e një marrëdhënieje korrekte ndërmjet dy bizneseve.
“Me keqardhje, vëmë re se punonjësit janë duke u përdorur si presion kundrejt kompanisë Bankers kur në fakt është pikërisht Tosk Energji që ka dështuar në përmbushjen e termave të kontratës dhe në mbajtjen e një marrëdhënieje korrekte ndërmjet dy bizneseve. Përgjatë vitit 2018, kompania Tosk Energji ka shkelur shpeshherë kontratën duke vonuar pagesat dhe tërheqjen e naftës nga depot e Bankers. Në disa raste, Tosk nuk ka paguar për sasitë e naftës së dakordësuara në kontratë çka ka krijuar vështirësi serioze për Bankers në zhvillimin e operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke akumuluar stoqe të mëdha nafte dhe duke shkaktuar kosto shtesë. Por, me gjithë problematikat përgjatë vitit 2018, Bankers sërish pati vullnetin e mirë për të nënshkruar një kontratë për vitin 2019, duke vlerësuar rëndësinë që kjo rafineri ka për zonën e Ballshit”, thuhet në njoftimin e Bankers.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje