Një karvan kamionësh dhe kampistësh bllokuan rrugët rreth Parlamentit të Zelandës së Re në Wellington për të protestuar kundër masave shëndetësore dhe vaksinimit anti-Covid, një nismë e frymëzuar nga ajo që po paralizon Otavën, kryeqytetin e Kanadasë.
Qindra automjete, të mbuluara me tabela “na ktheni lirinë” dhe “shtrëngimi nuk është pëlqim”, parkuan në rrugët pranë Kuvendit.
Qindra të tjerë kaluan nëpër qendrën e qytetit duke i rënë borive, ndërsa mbi një mijë njerëz morën pjesë në një miting.
Kryeministrja Jacinda Ardern, tha se nuk kishte ndërmend të priste protestuesit, duke vënë në dukje se shumica e Zelandës së Re kanë treguar mbështetjen e tyre për programin e vaksinimit të qeverisë.
“96% e banorëve të Zelandës së Re janë vaksinuar, gjë që na lejon të jetojmë me më pak kufizime sot falë mbrojtjes që na ka dhënë”, tha ajo për “Radio Zelanda e Re”.
Ndërkohë, në ditën e njëmbëdhjetë të protestave kundër masave anti-Covid, qyteti kanadez i Otavës është në grahmat e kaosit dhe kryebashkiaku ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Situata është “jashtë kontrollit”, tha kryebashkiaku të hënën. Qytetarët, të rraskapitur nga ditët e pushtimit të rrugëve dhe paralizimit të transportit, kanë nisur një aksion kundër demonstruesve.
Protesta filloi më 29 janar me drejtues kamionësh kanadezë kundër vendosjes së kërkesës për vaksinën nëse kalohet kufiri me SHBA-në.
Ata kërkojnë heqjen e detyrimit të vaksinimit, por edhe lehtësimin më të përgjithshëm të kufizimeve. Ditët e fundit, ka pasur momente tensioni, teksa demonstruesit shfaqnin flamuj të Konfederatës dhe simbole naziste, duke u përplasur me banorët e zemëruar nga boritë e pandërprera dhe tymrat e naftës nga kamionët.
Deri më tani, kryeministri kanadez Justin Trudeau, ka hedhur poshtë hipotezën e përdorimit të ushtrisë për të evakuuar demonstruesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)










Lini një Përgjigje