Rend dhe Ligj

Protestë ndaj masave, procedohen 7 persona, mes tyre Sazan Guri dhe 2 organizatorë

Policia ka proceduar 7 persona, të cilët ditën e djeshme zhvilluan një protestë kundër masave të qeverisë në sheshin “Skënderbej”.

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 7 persona, ndërmjet tyre edhe 3 organizatorët e tubimit pas organizimit të protestës dje në mesditë në sheshin “Skënderbej”, kundër masave të qeverisë për Covid-19.

“Procedimi ndaj tyre nisi pasi në datë 7 maj 2020, rreth orës 11:30, te sheshi ‘Skënderbej’ kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situtatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet”, thotë policia.

Shtetasit Zace Islami, Klajdi Bello dhe Sazan Guri, në rolin e organizatorëve të protestës, më herët kanë bërë thirrje në rrjete sociale për protesta e tubime.

Policia thotë se janë siguruar pamjet filmike dhe fotografike, si dhe është bërë këqyrja e rrjeteve sociale, pasi nga këta shtetas (organizatorët) bëhen thirrje për protesta dhe tubime.

Nga ana e shërbimeve të Policisë janë vendosur masa administrative/gjoba, pasi asnjëri prej tyre nuk ka patur autorizim për të dalë, bazuar në nenin 3 të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Ndërkohë, policia thotë se po punohet për shoqërimin e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në protestë.

Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të organizatorëve, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime të paligjshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë