Alket Hyseni, Adnor Shameti dhe Damian Gjiknuri do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në Komisionin e Posaçëm parlamentar që do të ngrihet për plotësimin e strukturës së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Emrat janë dorëzuar në Kuvend për të plotësuar këtë Komision, ku Partia Demokratike ka caktuar më parë Oerd Bylykbashin, që është njëkohësisht edhe përfaqësuesi i demokratëve në Këshillin Politik.
Komisioni i Posaçëm parlamentar për KQZ-në e re ngrihet sipas parashikimeve të marrëveshjes së 5 qershorit me detyrën e përzgjedhjes së kandidaturave për tre organet drejtuese të KQZ-së, që janë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Komisioneri, anëtarët e Rregullatorit dhe anëtarët e KAS-it zgjidhen nga Kuvendi me jo më pak se tre të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Paraqitja e kandidaturave bëhet nëpërmjet vetëofrimit, ose propozimit nga grupet parlamentare ose deputetët e veçantë.
Sipas përcaktimeve të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, për shqyrtimin dhe përzgjedhjen e kandidaturave, Kuvendi ngre komision të posaçëm parlamentar, me përfaqësim proporcional nga çdo grup parlamentar. Por, në rastin konkret është bërë një përjashtim duke përfshirë edhe PD, që nuk është në Parlament.
Ky Komisioni do të vlerësojë me pikë kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligj. Komisioni më pas i paraqet Kuvendit për votim listën e kandidatëve, e cila përmban deri në 20 emra të kandidatëve kalues të renditur me vlerësimin më të lartë. Për secilën kandidaturë të listës shënohet propozuesi dhe organizatat, apo partitë politike mbështetëse, nëse ka.
Në rastet kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Komisionerin, apo anëtarë të caktuar të Rregullatorit ose të KAS-it, me tre të pestat e votave, atëherë administrata e Kuvendit hedh short midis të gjitha kandidaturave të paraqitura për votim Kuvendit për vendin përkatës dhe fituesi shpallet në seancë plenare nga Kryetari i Kuvendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje