Politike

PS do të votojë edhe ligjin bashkë me Presidentin e ri, Rama flet për referendum për zgjedhjen nga populli

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh në Kryesinë e Kuvendit për të nisur procesin e identifikimit të kandidaturave potenciale për President të vendit. Kryesocialisti Rama foli për profilin e Presidentit të ri, ndërsa tha se bashkë me emrin, PS do të kalojë në Kuvend edhe ligjin për Presidentin.

“Duhet të zgjedhim një figurë për të luajtur në pesë vitet e ardhshme rolin e kreut të shtetit, jo një njeri më të mirë se Meta, se këtë kriter do ta plotësonte 90 për qind të shqiptarëve. Të kemi një President që të rrezatojë, sigurojë dhe garantojë një marrëdhënie të mirë me partnerët tanë strategjikë. të ketë profesionalizëm në të gjithë gamën e çështjeve që lidhen me Presidentin dhe të përçojë një frymë përbashkuese për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, përtej bindjeve politike dhe dallimeve mes qytetarëve. Do të fusim edhe ligjin, gjë që Presidenti apo presidentja që hyn në zyrë do të ketë edhe ligjin për Presidentin”, tha ai.

Rama e cilësoi Metën si presidenti më skandaloz që ka pasur vendi, ndërsa ‘justifikoi’ pse e zgjodhi me votat e PS-së pesë vite më parë.

“Zgjedhja e Ilir Metës President ishte një zgjedhje me detyrim-përcaktim për ne, që nuk i kishim votat për të zgjedhur Presidentin dhe që njëkohësisht gjendeshim në një kontekst politik të jashtëzakonshëm, po të kemi parasysh se mungonte opozita zyrtare në sallë dhe nga ana tjetër vullneti dhe dëshira jonë ishte që zgjedhja jonë të binte mbi dikë që do të mund ta përfaqësonte edhe opozitën. Zgjodhëm një President për opozitën, por që do të përfaqësonte edhe shqiptarët. Koha provoi të kundërtën”, tha Rama.

Kryeministri tha se në këtë fazë nuk do të bëhen publikë emrat që do të propozohen nga grupi. Arsyeja? “Për të mos bërë mish për top emrat e tyre për mediat”, tha Rama.

Çdo deputet i PS do të paraqesë përmes një formulari deri në tre emra për kandidatë, propozimet do të dorëzohen në një zarf.

Gjatë fjalës së tij, kreu i Qeverisë ceku edhe mundësinë e zgjedhjes së Presidentit nga populli, por jo me kompetencat aktuale. Ai tha se kjo temë mund të përfshihet në konsultim vitin e ardhshëm dhe referendum për ndryshimin e Kushtetutës.

“Shqipëria mund ta zgjedhë një President nga populli nëse do të ndryshojë Kushtetutën dhe t’i japë Presidentit disa instrumenta që e bëjnë një figurë të zgjedhur nga populli, që ka peshën dhe zërin e vet bazuar në atributet që i jep Kushtetuta. Për këtë mund të ketë edhe një referendum për Kushtetutën dhe për zgjedhjen e Presidentit nga populli”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë