Politike

PS e do jashtë loje Ilir Metën, Balla: Kemi draft, ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit, jo kryetar partie     

Partia Socialiste do të depozitojë në Kuvend propozimin për ndryshime në ligjin për Partitë Politike dhe si në Kodin Zgjedhor për të pamundësuar bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit që të jenë në politikë aktive. Një nisme kjo që nisur nga zhvillimet synon të lërë jashtë loje Ilir Metën, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë.

 “Ka nevojë urgjente e politikës shqiptare dhe institucioneve të tjera për tu pastruar nga ish- bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit.  Kemi diskutuar për 2 projektligjet që janë në proces, i pari ligji për autoritetin për informimin mbi dosjet e sigurimit të shtetit, nuk do të ketë më asnjë pengesë për tu verifikuar edhe ata që janë verifikuar më parë. Dhe natyrshëm edhe çështja tjetër për parashikimin në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, ku të gjithë kandidatet të bëjnë kërkesë te Autoriteti dhe ata të kenë mundësi të verifikojnë”, tha kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla

Sipas tij, vijon puna brenda grupit parlamentar për pjesën tjetër të paketës që ka të bëjë me ligjin për dekriminalizimit.

“Në këtë ligj të parashikohen edhe bashkëpunëtorët e ish sigurimit të shtetit, si dhe ligji për partitë sepse nuk mund të jesh kryetari i një partie politike nëse rezulton të kesh qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Natyrshëm që kemi edhe çështje të tjera që kemi adresuar ne mbledhjen e grupit parlamentar”, tha Balla.

Kryetari i Grupit Parlamentar socialist tha gjithashtu se edhe Bashkimi Evropian do ti bashkëngjitet nismës së SHBA dhe Britanisë së Madhe për përsonat që janë etiketuar si minues  të demokracisë në Ballkanin Perëndimor.

“Për çështje të karakterit të luftës kundër korrupsionit, minimimit të demokracisë, SHBA, Britania e Madhe dhe BE janë gjithmonë të koordinuara mes tyre. Ka një iniciativë në Parlamentin Evropian, ku kërkohet që personat të cilët janë shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo të përfshirë në instrumentet e tjerë për të identifikuar këdo që punon në dëm të interesit të Ballkanit Perëndimor. Në vlerësimin tim edhe dënimi nga BE nuk do të vonojë, ky është vlerësimi im. Është logjike që kjo të ndodhë dhe besoj se do të ndodhë”, tha Balla

Sa i përket reformës territoriale, PS nuk ndryshon qëndrim

“…Ne kemi arritur në përfundimin që 61 bashki dhe 12 qarqe janë ndarja më e mirë administrative territorial e vendit. Komisioni vijon punën, përfaqësuesit tanë do të kenë edhe sugjerimin e ekspertëve, por vendimmarrjen e ka Komisioni. Kur të shkojnë në seancë plenare, do të ketë edhe vendim për këtë çështje…”, tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë