Politike

PS e priste humbjen në Shkodër, Rama: Kemi marrë aq sa prisnim

Partia Socialiste e priste humbjen në Shkodër dhe fitoren në të pestë bashkitë e tjera. Ky është interpretimi që i ka bërë rezultatit, Kryeministri Edi Rama.

“Zgjedhjet e djeshme i dhanë Partisë Socialiste as më shumë e as më pak se sa prisnim. 5 nga 6 bashkitë në garë – me një fushatë pa i ndezur motorët e qendrës dhe me një hendek votash nga rivalët edhe më të madh se sa tregonin projeksionet tona”, deklaroi Rama.

Megjithatë, Rama thotë se nuk ka kohë për të festuar dhe shijuar fitoren për shkak të luftës në Ukrainë dhe ndikimit të saj në ekonominë shqiptare.

“Lufta po vret e po shkatërron në Ukrainë, por po i fut kthetrat e ndikimit të saj kudo, në tregjet e mëdha e të vogla, ku jeta e përditshme po shtrenjtohet orë e minutë nën bombat e pasigurisë që lufta mbjell kudo”, vijon ai.

Duke u rikthyer të fitorja, Rama thotë se as vetë socialistët nuk e kishin parashikuar diferencën kaq të thellë të votave në pesë bashkitë e fituara.

“Ne kemi fituar Dibrën, Durrësin, Lushnjën, Vorën e Rrogozhinën, me rezultate përtej parashikimeve më optimiste! Por sot lartësia e sfidës është ku e ku më shumë marramendëse, se sa mirëqeverisja e këtyre bashkive dhe se sa të gjitha sfidat qeverisëse deri fare pak ditë më parë”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë