Politike

PS hap “konkursin” për deputet, Rama: Jo për kryetar

Partia Socialiste nuk do të kushtëzohet vetëm brenda anëtarësisë, apo figurave të veta publike për të përzgjedhur kandidatët potencialë për deputetë të ardhshëm, por do të hapet ndaj kujtdo.

Ky është zotimi i Kryeministrit Edi Rama, që këtë të enjte ftoi këdo që të aplikojë.

“Dua t’iu them të gjithëve që mund të jenë të reja dhe të rinj që sapo kanë mbaruar shkollën me rezultatet të mira që punojnë në shtet, në fermë, në emigracion që janë të mirëseardhur që të shprehin interesin e tyre. Gra dhe burra që vijnë nga eksperiencat si mësuese, mësues, shërbëtorë publikë, ekspertë në çfarëdolloj fushe që punojnë në hapësirën e sipërmarrjes që punojnë në media, kudo qoftë, në fermë, që e përkthejnë aktivistin e tyre në audienca në rrjete sociale. Cilido që ka pasionin tonë për të kaluar nga fjalët në vepra. Ky është mesazhi që dua të përcjell sot përmes këtij komunikimi”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se kjo është hapja më e madhe e bërë ndonjëherë jo vetëm brenda Partisë Socialiste, por për të gjitha partitë në Shqipëri.

Të interesuarit mund të aplikojnë përmes mjeteve online.

“Do të kenë në dispozicion një platformë ku do dërgojnë një video, ku do të shprehin interesin pse duan të bëhen pjesë e skuadrës sonë. Më pas do të dërgojnë edhe CV, edhe një letër angazhuese. Jemi shumë të lumtur që të ndajmë këtë eksperiencë tonën me njerëz që ndajnë me ne të njëjtën dëshirë dhe angazhim për të çuar para vendin”, sqaroi Rama.

Kryesocialisti e bëri të qartë se nuk bëhej fjalë për hapjen e garës për t’i zënë vendin në krye të partisë.

“Unë po i ftoj të bëhen pjesë e skuadrës dhe jo të bëhen kryetarë partie, se Partia Socialiste e ka një të tillë. Ne kemi një sistem që nuk bëhen zgjedhje dhe kur kryetarin e zgjedh populli me votë. Kemi bërë edhe gara të tilla më parë, por s’kanë qenë gara, por bëj adetin se kështu është shkruar në statut, kanë qenë farsë”, vijoi ai.

Rama ceku edhe mundësinë e ndryshimeve në Qeveri, temë të cilën nuk e përjashtoi. “Ministrat i kemi të mirë, por e mira s’ka fund, secili ka mundësi për të bërë më shumë”, u shpreh Kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë