Partia Socialiste paralajmëron plotësimin e kërkesës së opozitës parlamentare për hapjen e listave nëse nuk arrin që të sigurojë 84 votat për të kaluar në Parlament ndryshimet e Kodit Penal të dakordësuara me Partinë Demokratike.
Kjo do të ndryshonte edhe marrëveshjen e arritur me opozitën në Këshillin Politik. Deklarata është bërë nga bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri.
“Nuk përjashtoj mundësinë e listave të hapura nëse ne nuk gjejmë dot votat për të kaluar Kodin, natyrshëm që do të mundohemi të bëjmë kompromise me ta, përfshirë mbase edhe hapjen e listave, por është shumë shpejt për të folur. Por nëse nuk sigurojmë votat, është natyrshëm që duhet një kompromis, ose nuk do të kemi ligj zgjedhor”, deklaroi Gjiknuri.
Deklarata u bë gjatë një takimi që Gjiknuri zhvilloi në Vlorë, ku prezantoi edhe drejtuesin e ri të Kadastrës në këtë rreth. Ai paralajmëroi se hapja e listave mund të pasojë një sërë problematikash teknike në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve, siç është numërimi i votave.
“Nëse hapen me mënyrën që kërkon opozita, menaxhimi i numërimit të votave do të bëhet i vështirë. Do të kërkojë ndërhyrje të tjera, në thjeshtimin e listave që paraqiten nga koalicionet. Opozita gjithmonë e ka kërkuar hapjen e listave”, u shpreh ai.
Gjiknuri thotë se PS nuk është kundër hapjes së listave, por kërkoi që më parë të kalojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Për këto ndryshime, PS ka siguruar rreth 78 vota, ndërkohë që i duhet edhe gjashtë të tjera.
Nga opozita parlamentare janë shprehur të vendosur për të mos votuar pro marrëveshjes nëse nuk plotësohet të paktën kushti i hapjes së listave, ndërkohë që pjesë e platformës të opozitës parlamentare është edhe ndryshimi i sistemit dhe ndalimi në Kushtetutë i koalicioneve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje