Politike

PS kërkon mbledhjen e Këshillit Politik: Vonesat rrezikojnë teknologjinë

Partia Socialiste kërkon mbledhjen e Këshillit Politik paraditen e së premtes. Damian Gjiknuri u ka dërguar një e-mail anëtarëve të tjerë të këtij Këshilli për të trajtuar temat e mbetura dhe miratimin e të gjitha amendimeve të marrëveshjes së arritur dhe më pas dorëzimi i tyre në Kuvend për t’u votuar.

Synimi i socialistëve është që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të përmbyllen brenda këtij sesioni parlamentar dhe Gjiknuri njofton Oerd Bylykbashin, Petrit Vasilin dhe Rudina Hajdarin se sa më shumë të vonohet kjo, aq më i rrezikuar është zbatimi i identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhjet e ardhshme.

“Kjo bëhet edhe më e mprehtë nga nevoja për të kaluar të gjitha procedurat parlamentare deri në miratimin e saj në seancë plenare, duke pasuar edhe me zgjedhjen e organeve përkatëse brenda këtij sesioni parlamentar që mbaron në fund te Korrikut 2020. Çdo vonesë në miratimin e ligjit dhe zgjedhjen e organeve të reja të KQZ do të rrezikojë fillimin e implementimit të teknologjisë për identifikimin elektronik në të gjithë vendin”, thuhet në mesazhin e dërguar nga Gjiknuri.

Gjiknuri propozon që temat e tjera që lidhen me ndryshimin e sistemit zgjedhor, ligjin e referendumeve dhe ligjit për financimin e partive politike të trajtohen të ndara nga Kodi Zgjedhor, nisur nga fakti se palët kanë rënë dakord që Këshilli Politik të vazhdojë punën edhe pas përmbylljes së ndryshimeve në këtë Kod.

Ndërkohë, në orën 17:00 pritet që të mblidhet Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ku në rend të ditës do të jetë diskutimi i marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë