Nga Gazeta ‘Si’ – Edhe për një javë, Damian Gjiknuri do të jetë bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, ku merr pjesë vetëm pjesa e opozitës së drejtuar nga Lulzim Basha. Më pas, struktura do të shkrihet për t’u zëvendësuar me një grup pune mes grupeve parlamentare PS-PD të drejtuar nga Gazment Bardhi, ku, përveç ligjeve me 84 vota, do të diskutohet edhe reforma zgjedhore, nëse mund të arrihet kompromis.
Paraprakisht, PS thotë hapur se nuk është dakord për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por ka gati skemën për votën e emigrantëve.
“Nëse ka vullnet politik, mund të nisë zbatimin që këtë vit”- tha zoti Gjiknuri në një intervistë për Gazetasi.al ku jep detaje për pikëpamjet e PS për çështjet e reformës zgjedhore.
Kur ka mbetur më pak se 1 javë nga skadimi i mandatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, do të ketë një drat final si produkt i përbashkët maxhorancë-opozitë?
“Qëllimi i Komisionit ka qenë që të dilet me një draft të përbashkët. Vetë PS ka një draft të sajën, sepse ne kemi propozimet tona që reflektojnë rekomandimet e ODIHR-it. Fatkeqësisht jemi shumë larg kompromisit. Palët kanë qendrime të ndryshme për disa çështje, sidomos për çështjet që kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor. Në këto kushte po shkojmë drejt skadimit të afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Natyrshëm, do të bëjmë edhe një tentativë të fundit javën e ardhshme”.
Është PS e gatshme ta shtyjë afatin e Komisionit Zgjedhor?
“Në kushtet siç janë palët, nuk shoh gjë të re se çfarë mund të sjellë shtyrja. Për gjërat teknike, ne mund të gjejmë dakordësi, por për disa gjëra që ne nuk gjejmë dakordësi, nuk shoh se mund të ndodhë diçka e re që mund t’i sjellëpalët në një proces dakordësie në këtë komision të reformës zgjedhore në këtë format. Pra, shtrohet pyetja ia vlen shtyrja apo të tentohet, përmes një negociate, në diskutim me të gjithë grupimet politike, për diskutimin e një ligji për pasjen e një ligji të gjthëpranuar”.
Ka një dakordësi për një strukturë parlamentare mes grupeve PS-PD, ku të dialogohet për çështjet që kërkojnë konsensus me 84 vota. Është një propozim i dobishëm, që vlen?
“Çdo propozim që ndhmon dialogun parlamentar është një hap i mirëpritur për përmirësimin e jetës parlamentare. Ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar kërkojnë dialog mes palëve, gjë që ka munguar për shkak të sjelljes së opozitës me veprime radikale. Çdo hap, çdo dialog për kthimin në normalitet është gjëja që e presin të gjithë aktorët dhe shqiptarët. Por ju garantoj se çfarëdolloj grupi pune të jetë, të gjitha palët do të jenë të dëgjuara dhe opinionet do të merren parasysh”.
Pala e zotit Basha ka çuar në komision ndryshimin e Kodit Zgjedhor që Shqipëria të jetë një zonë elektorale. E pranoni ju këtë?
“Pse duhet ta pranojmë? Kjo i leverdis vetëm zotit Basha. Këtu ka një traditë. Nuk ka qenë Shqipëria me zgjedhje proporcionale kombëtare. Një zonë zgjedhore do të thotë të ndryshosh sistemin, të ndryshosh kushtetutën dhe gjithë produktin që sjellin zgjedhjet në Shqipëri. Propozimi i tyre niset nga premisa personale. Ai thotë “dua një sistem që të nxjerr disa njerëz të marrin vota për mua, se dua të mbjetoj politikisht.”
A ka Partia Socialiste një propozim për sistemin zgjedhor? Duhet të ndryshojë ai?
“Sistemi zgjedhor aktual është sistem shumë i mirë, sepse kombinon përfaqësimin rajonal me interesin kombëtar, duke dhënë stabilitet. Nëse kalojmë në një sistem radikal të hapur proporcional kombëtar, ai do mekanizma korrigjues. Ndryshe Shqipëria do të ketë vështirësi për qeverisje. Nuk merren peng fatet e qeverisjes së vendit, se shumë parti duan të jenë të përfaqësuara”.
Do të votojnë emigrantët në zgjedhjet e 2025?
“Ne kemi paraqitur një platformë tonën sesi të bëjmë të mundur votën e emigrantëve. Varet nga vullneti politik i palëve. Nëse duhet, ne kemi vullnetin politik të zbatohet që këtë vit”.
Por si votohet dhe si llogaritet vota e tyre?
“Vota e tyre llogaritet në qarqet ku kanë pasur banesën e fundit përpara largimit. Duhet ta kenë regjistruar adresën e tyre. KQZ mbledh kërkesat e të gjithë personave që jetojnë në diasporë dhe kanë deklaruar një adresë, i rregjstron si zgjedhës potencialë për t’u çuar zarfin, pasi me zarf është metoda që ndjek gjithë bota. Vota e tyre duhet të vijë në Shqipëri deri ditën e votimit me zarf dhe votat llogariten në bazë të qarqeve, pra shpërndahen tek çdo qark, ku emigranti ka patur rezidencën përpara largimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje