Partia Socialiste mbron patronazhistët dhe këmbëngul se skandali i të dhënave personale të shqiptarëve që ka shpërthyer me publikimin e pagave dhe të targave nuk ka lidhje me ta.
“Unë falenderoj patronazhistët që në fushatën zgjedhore bënë një punë të shkëlqyer. Falenderoj çdo anëtar të PS, çdo mbështetës dhe zgjedhës në 25 prill ku procesi i patronazhimit ishte organizim elektoral si çdo parti në Europë dhe Amerikë”, tha në konferencën e fundit për shtyp për këtë vit, Taulant Balla.
Balla doli para gazetarëve në cilësinë e kreut të grupit parlamentar socialist. Ai foli për nevojën e ashpërsimit të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave.
“Ka ardhur koha që ne të rishohim edhe njëherë nivelin e penaliteteve për të dhënat personale, si një kundërpërgjigje për të rritur mburojën kundër keqpërdorjes së të dhënave. Duhet ta përshtasim legjislacionin me atë të BE, që në këtë fushë e ka shumë herë më të ashpër”, tha Balla.
Edhe kreu i socialistëve në Kuvend ndan qëndrimin se publikimi i këtyre të dhënave ka për qëllim destabilizimin e vendit, një ide e hedhur fillimisht nga Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp me drejtoren e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj.
“Mbështes hetimin e prokurorisë dhe personat e përfshirë në këtë ngjarje kriminale, që është një përpjekje për destabilizim dhe këtu i referohem situatës së krijuar në disa kompani, pasi këto po prishin marrëdhënien punëmarrës e punëdhënës”, deklaroi ai.
Sipas Ballës, rasti duhet të shfrytëzohet nga drejtësia edhe për të hetuar deklarimet e rreme. “Institucionet e drejtësisë duhet të hetojnë dhe ka nevojë që të hetojnë edhe për fshehje të deklarimeve, apo deklarime të rreme”, u shpreh Balla.
“Berisha, jo si Tom Doshi”
Taulant Balla përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike nëse kjo e fundit do të drejtohet nga Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA. Balla u pyet se nga ndryshon rasti Berisha nga ai i Tom Doshit, gjithashtu i shpallur non grata me të cilin PS bashkëpunon në nivel qendror dhe vendor.
“Në dijeninë time nuk ka asnjë marrëveshje bashkëpunimi të Partisë Socialiste me partinë e Tom Doshit. Pastaj, Tom Doshi u dorëhoq dhe u largua nga Kuvendi. Sali Berisha të bëjë këtë që bëri Tom Doshi. Ai duhet të largohet përjetësisht nga Kuvendi”, u përgjigj ai.
Sipas Ballës, Sali Berisha ka hesape të hapura me shqiptarët dhe njëri prej tyre deklaroi se është 21 janari. Këtu, kreu i grupit parlamentar socialist akuzoi Berishën se ka prishur provat, duke iu referuar edhe një deklarate të fundit të Lulzim Bashës, që krahasoi 21 Janarin me hyrjen e Berishës në selinë e PD-së më 18 dhjetor.
“Bëhen 11 vite nga 21 janari. Ka pasur një reagim nga Basha ku ka qartësuar një përgjegjësi të Berishës kur tha se s’bëri atë që bëri Berisha më 21 Janar. Çfarë bëri Berisha më 21 janar? Çështja është në Prokurorinë e Tiranës. Mendoj se ai ka prishur provat e 21 janarit. Drejtësia e re duhet të marrë në pyetje Bashën dhe Berishën se çfarë roli luajtën në 21 janar”, tha Balla.
Balla mohon darkën me Bashën
Ditët e fundit mediat ziejnë nga një lajm, sipas të cilit Taulant Balla, Erion Veliaj dhe Lulzim Basha kanë darkuar bashkë. Mediat iu referuan deklaratave të Sali Berishës. Kreu i grupit parlamentar socialist e përgënjeshtroi këtë lajm.
“Asnjëherë në jetën time nuk kemi qenë në darkë me Bashën, ajo që është thënë nga Berisha është një rishfaqjeje e 30 vite të Berishës që vetëm me gënjeshtra, shpifje dhe mashtrime ka lënë trashëgiminë politike. Kam qenë për vizitë në një familje të një miku të vyer me shumë njerëz të tjerë. Unë me Bashën jam takuar vetëm në gjyq dhe jam në një gjyq për shpifje dhe pres të takohem në Apel me të”, tha Balla.
Reforma zgjedhore, PS këmbëngul te rekomandimet e OSBE/ODIHR
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord deri më tani në lidhje me përbërjen e komisionit të reformës zgjedhore, por për objektin e këtij komisioni do të duhet të pritet viti i ardhshëm.
Balla tha se është në komunikim të vazhdueshëm institucional me kreun e grupit parlamentar demokrat, Alfred Rushaj, ndërsa mes detajeve zbuloi se PS është e bindjes se Komisioni duhet të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR.
“Ne jemi të gatshëm dhe të mendimit që duhen adresuar që të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR”, tha Balla.
Gazeta Si ka raportuar më herët se me pjesën më të mëdha të rekomandimeve bie dakord edhe PD, por që kundërshton atë për depolitizimin e administratës zgjedhore. Sipas PD, Shqipëria nuk është gati për këtë hap.
Meta në Kushtetuese dhe një deklaratë për “Presidenten” e re
Për socialistët, Kuvendi e ka përmbyllur detyrën e tij me shkarkimin e Presidentit Ilir Meta dhe është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Balla tha se ky vendim do të dalë para muajit shkurt.
Sipas Ballës, cilido qoftë vendimi i Kushtetueses Kuvendi do ta respektojë atë, ndërsa i mbylli derën Ilir Metës për një mandat të dytë në krye të Presidencës.
“E sigurtë është që Krishtlindjen e 2022-it Ilir Meta nuk do të jetë President. Do të kemi një president, a presidente se mund të jetë edhe zonjë”, tha Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje