Partia Socialiste i ka ndarë në tre nivele objektivat e saj për zgjedhjet e 25 prillit; në objektivin minimal, objektivin bazë dhe objektivin maksimal.
Pritshmëritë e njoftuara nga Kryeministri Edi Rama këtë të hënë shkojnë përtej rezultatit të zgjedhjeve të 2017-ës. 74 mandate, aq sa mori 4 vite më parë u njoftuan si objektivi minimal i PS-së më 25 prill.
Objektivi bazë shkon në 78 mandate, ndërsa objektivi maksimal në 88 mandate.
“Objektivi minimal është që rezultati që kemi arritur me numrin e deputetëve në Parlament në 2017 të mos bjerë. Objektivi bazë është 78 mandate dhe objektivi maksimal 88 mandate”, deklaroi Rama.
Në këtë dalje, që i parapriu mbledhjes për dhënien e dorës së fundit të listave me kandidatët që do të dorëzohen në KQZ, Rama konfirmoi se listat do të përmbysen dhe drejtuesit politikë të qarqeve do të renditen në numrin rendor që përkon me objektivat minimalë të partisë.
“Listat do të përmbysen dhe mendoj se ka ardhur koha që nuk ka më kuptim se pse drejtuesit e qarqeve të jenë në krye. Vendet e para do t’u lihen të rinjve dhe kryesisht grave dhe vajzave. Nuk ka kuptim që unë të jem i pari në Durrës dhe në Vlorë”, tha Rama.
Ajo që bie në sy është se në 10 nga 12 qarqet e vendit, listat e PS-së do të kryesohen nga gra dhe vajza.
Edona Bilali do të kryesojë në Qarkun e Shkodrës, Pranvera Resulaj në Vlorë, Greta Duraku në Kukës, Eni Zake në Korçë, Hatixhe Konomi në Berat, njëra mes Najada Çomos dhe Luljeta Bozos në Tiranë, Evis Kushi në Elbasan, Mirela Kumbaro në Gjirokastër, Lindita Nikolla në Lezhë dhe Milva Ekonomi në Durrës. Dibra dhe Fieri u janë besuar burrave, përkatësisht Lavdrim Krashi dhe Erion Braçe.
Kryeministri tha se në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave kanë ndikuar edhe mediat, por edhe rrjetet sociale, ndërsa objektivat e vendosura i cilësoi realiste dhe të vendosura mbi bazën e përllogaritjeve dhe strategjive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje