Politike

PS nuk do të luftojë për “jetë a vdekje” në zgjedhjet e pjesshme lokale

Kryeministri Edi Rama ndau një tjetër mendim nga Presidenti Ilir Meta, që e mveshi me rëndësi të veçantë 6 marsin, kur do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore në gjashtë bashkitë pa kryetarë.

Në një komunikim me gazetarët në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, Rama tha se PS do të hyjë në garë për t’i fituar, por fushata që do të zhvillohet nuk do të jetë një betejë për jetë a vdekje, as e tija personale dhe as e Partisë Socialiste.

“Nuk do të bëjmë një luftë për jetë a vdekje. Unë dhe Partia Socialiste do të fokusohemi te këshillimi kombëtar. Sigurisht, ne do të bëjmë detyrat tona për të qenë të pranishëm në fushatë në këto komunitete ku janë zgjedhjet. Por, nuk ka nevojë që të bëjmë parashikime. Janë zgjedhje që kanë rëndësinë e tyre dhe kaq”, tha Kryeministri.

Sa për situatën në kampin opozitar…

“I kam thënë ato që kam pasur për të thënë për opozitën. Ajo është në proces agonie me dy kufoma në mes të mexhelisit, që s’di c’t’i bëjë, t’i heqë apo t’i mbajë. Është për të qarë hallin”, deklaroi ai.

Në këtë dalje, Rama shmangu një përgjigje të drejtpërdrejt për kërkesën e Presidentit turk, Recep Taip Erdogan për të luftuar gylenistët, që Ankaraja i konsideron organizatë terroriste. Ai tha se “Shqipëria nuk i ka asnjë borxh Erdogan dhe Turqisë, sepse mes vëllezërve nuk ka borxhe” ndërsa aksionin e policisë që nxorri me forcë banorët nga shtëpitë në lagjen 5 Maji në Tiranë e cilësoi si “ushtrim i forcës së ligjit për të gjithë ata që i dalin me forcë ligjit dhe shtetit përpara”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë