Politike

PS nuk do të rishikojë buxhetin 2021, rrëzohet dekreti i Metës

Mazhoranca sinjalizoi se do të rrëzojë në Parlament dekretin e Presidentit Ilir Meta, që ktheu për rishqyrtim buxhetin e vitit 2021. Komisioni i Ekonomisë mori në shqyrtim dekretin presidencial në mbledhjen e kësaj të marte, ku pas diskutimeve votoi me 16 vota kundër vendimit të Metës.

Rrëzimi i dekretit u paralajmërua më herët në konferencën javore me gazetarët nga ana e Kryeministrit Edi Rama. Ai e vlerësoi buxhetin dhe tha se ai adreson shqetësimet kryesore të qytetarëve, si pandeminë dhe rindërtimin.

Presidenti Meta ktheu buxhetin duke deklaruar se ai nuk merr parasysh disa faktorë ekonomikë e socialë dhe nuk parashikon mbështetjen e mjaftueshme për të përballuar pandeminë dhe pasojat e saj.

Presidenti thotë gjithashtu se buxheti nuk garanton mbrojtjen as të shëndetit dhe as të dinjitetit të qytetarëve përballë pandemisë. Meta nënkupton se në këtë buxhet orientimi i fondeve është i gabuar. Ai deklaron në arsyetimin shoqërues të buxhetit se në të Qeveria parashikon shpenzime të panevojshme, siç janë 36 mln eurot për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Meta tha gjithashtu se buxheti i ri nuk mbështet as biznesin dhe veçanërisht biznesin e vogël, duke mos parashikuar paketa stimuluese. Presidenca thotë se në buxhet nuk parashikohet as një projekt-plan për uljen e borxhit publik, që sipas saj është mbi 80 për qind.

Presidenca vëren se edhe objektivi i amnistisë fiskale që parashikohet për vitin e ardhshëm është problematik, pasi përkeqëson klimën e biznesit në vend dëmton konkurrencën dhe është rrezikon të përdoret për pastrimin e parave të krimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë