Politike

PS pro ndryshimit të sistemit zgjedhor, por me kusht

Pas mbledhjes së komisionit të posaçëm për ndarjen territoriale, radha e mbledhjes i erdhi komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

Mbledhja e parë u shoqërua me sinjale për të ndryshuar sistemin zgjedhor, por kjo sipas përfaqësuesve të mazhorancës do të varet nga puna e komisionit të reformës territoriale. Pra nëse do të ndryshojë numri i bashkive dhe realizohet ndarja në rajone, atëherë ky komision, sipas bashkëkryetarit socialist, Damian Gjiknuri do ta përfshijë në agjendën e punimeve.

“Pra nëse palët bien dakord, po imagjinoj se do të kemi ndryshim të bashkive, nëse bien dakord dy palët. Palët kanë diskrecionin të bien dakord atëherë jemi të detyruar që ti shqyrtojmë këto. Pra në do ta përkthejmë atë modelin politik në ligj. Këto janë prekur të gjitha kapitujt e Kodit Zgjedhor”, tha bashkëkryetari i komisionit Damian Gjiknuri.

Afati i komisioni të reformës territoriale është deri në nëntor dhe ky ishte ideja e kompromisit që socialistët dhanë në mbledhjen e komisionit të reformës zgjedhore. “Qëndrimi im është që të jemi të hapur të diskutojmë brenda rekomandimeve, por edhe për ato që ne palët biem dakord me konsensus politik që mund të prekë elementë të sistemit pa prekur Kushtetutën”, theksoi Gjiknuri. Më tej ai theksoi se ky komision nuk tagër të ndryshojë Kushtetutën, pasi duhet të formohet një komision tjetër.

Ky ishte dhe konsensusi i parë në këtë mbledhje mes mazhorancës dhe opozitës, që i lanë shteg ndryshimit të sistemit zgjedhor në rast se Shqipëria do të ketë më shumë se 61 bashki dhe do të ndahet në rajone. Kjo çështje pritet të vendoset përfundimisht me 30 tetor nga ky komision.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë