Socialistët rrëzuan me forcën e kartonëve kërkesën e depozituar të 36 deputetëve të opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për procedurat e dhënies së investimeve strategjike.
Kërkesa ishte rrëzuar dy herë nga PS në Konferencën e Kryetarëve dhe në të dyja rastet me arsye proceduriale. Në rastin e parë, mazhoranca e rrëzoi kërkesën me nismëtar deputetin Gazment Bardhi me arsyetimin se nuk plotësonte numrin e nevojshëm të deputetëve mbështetës, pasi nga 35 sa kërkon Kushtetuta kishin firmosur 34. Deputeti Agron Duka u tërhoq në momentin e fundit.
Opozita e korrigjoi kërkesën duke e ridepozituar me të njëjtën përmbajtje, por me numër protokolli të ri dhe të firmosur nga 36 deputetë. Por, PS e rrëzoi sërish në Konferencën e kryetarëve dhe sipas rregullores, kur për një çështje në këtë konferencë nuk ka dakordësi, ajo kalon për vendimmarrje në seancë plenare.
Në seancën e kësaj të enjteje, rendi i ditës i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit nuk përfshinte diskutimin dhe vendimmarrjen për komisionin hetimor të investimeve strategjike. Por, me propozim të socialistëve kjo çështje u fut në rend ditë në momentin e fundit dhe rrëzimin me forcën e kartonëve duke cituar sërish arsye proceduriale.
“35 firma të administruara për një dokument të datës 25 maj u ishin shtuar dhe dy firma të reja. Duke bërë shënime që deputeti X është tërhequr. Kanë shkelur me të dyja këmbët ligjin bazë atë të respektit të dokumenteve zyrtare. Kur depoziton një kërkesë të re ndryshon dokumenti. Mendova se ju e përmbyllët këtë çështje. Mblidhini të njëjtët firmëtar dhe hajde të bëjmë debatin. Debati zhvillohet kur kërkesa përmbush kriteret formale”, tha Balla, i cili foli deri edhe për falsifikim në këtë rast.
Nga opozita reaguan deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi. Ata thanë se futja e beftë në seancë plenare tregonte ngutjen e mazhorancës për të mos hetuar procedurat me anë të të cilës janë dhënë pronat publike në bregdet. Bardhi shkoi më tej, duke deklaruar se investitor strategjik është shpallur edhe bashkëshorti i ministres Olta Xhaçka.
“Pasuritë publike janë kthyer në plaçkë dhe kryeministri zgjohet në mëngjes dhe thotë se cilit do t’i japë një copë tokë. Duhet të jemi të ndershëm më shqiptare ju vini dhe nuk dini se çfarë flisni. Keni një listë me 36 firma dhe thoni është e falsifikuar. Ju jeni për t’i shërbyer Olta Xhaçkës. Dilni zbuluar se me atë ligj që është zbatuar, miq dhe familjarë tuajt kanë përfituar pasuri publike”, tha Bardhi duke shtuar se kërkesa e opozitës nuk do të mund të pengohet.
Objekti i komisionit hetimor të propozuar, sipas kërkesës së depozituar nga opozita është verifikimi në thellësi i ligjshmërisë, procedurave dhe praktikave të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike, një organ që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama.
Referuar vendimeve të KIS që favorizojnë sipas opozitës njerëz të afërt me pushtetin, opozita përmend në kërkesën e saj rastin e anëtarit socialist të Këshillit Bashkiak Tiranë dhe aktorit të humorit, Gazmend Paja, familjarëve të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Pavarësisht akuzave, Qeveria ka vijuar me shpalljen e investitorëve strategjikë, ku më të fundit janë në bregdetin e Kavajës, ku dy kompani kanë përfituar me kontrata 1 euroshe një sipërfaqe prej 2.2 mln metër katrorë prona publike për zhvillim për 35 vite. Vlera totale e këtyre pronave përllogaritet në rreth 70 mln euro.
Ligji për Investimet Strategjike u miratua për herë të parë në 2015-n nga mazhoranca e PS-së në koalicion me LSI-në. Në relacionin shoqërues ligji konsiderohej si i përkohshëm deri sa qeveria të përmbyllte një ligj të ri për investimet, ku do të përfshihen në një draft të gjitha rregullat, si për investitorët e huaj, ashtu edhe për vendasit.
Por, PS e zgjati dy herë afatin e këtij ligji, fillimisht në 2019-n dhe më pas në 2021. Afati i ri i këtij ligji është deri në 2023.
Ky ligj i njeh statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson mbi 80 punëtorë.
Ligji është kritikuar nga opozita si mekanizëm për favorizimin e njerëzve pranë pushtetit si dhe antikushtetues, pasi në nenin 28 të tij parashikon shpronësimin e pronarëve nga shteti në rastet kur kompania e shpallur investitore strategjike nuk gjen dakordësinë me këta pronarë për shpronësim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje