Socialistët synojnë që me ndryshimet e propozuara në ligjin e dekriminalizimit të largojnë nga Kuvendi jo vetëm Ilir Metën si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, por edhe Sali Berishën, edhe pse për këtë të fundit Autoriteti i Dosjeve nuk ka folur publikisht për një dosje.
“Mendoj se Sali Berisha është përfaqësues i lartë i Partisë së Punës, si një sekretar partie dhe mendoj që në vlerësimin e juristëve që po punojnë për bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit të konsiderohet edhe pjesa e të favorizuarve dhe bashkëpunëtorëve të konsiderohet edhe pjesa si sekretar partie”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Në draftin që po qarkullon në media, kjo pjesë nuk reflektohet te ndryshimet e propozuara. Por, Balla tha se drafti është ende duke u punuar dhe tha se në draftin final mund të përfshihen mes personave të ndaluar edhe sekretarët e partisë.
Sa për statusin non grata, Balla tha se për akuzat e ngritura nga SHBA dhe Britania e Madhe ndaj Sali Berishës duhet të flasë SPAK-u.
“Non grata është një vendim që është marrë nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe për këtë çështje qëndrimi ynë është i qartë, i takon organeve të drejtësisë dhe i bëj thirrje SPAK që në dritën e akuzave të ngritura nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe letra që i është dorëzuar nga Britania e Madhe, mendoj është koha e përshtatshme dhe janë bërë publike edhe elementët korruptivë dhe lidhjet korruptive, çështje që i takon drejtësisë. Nuk mund të adresohet në këtë kontekst, apo në paketën që po diskutojmë”, tha Balla.
Sipas kreut të grupit të socialistëve në Kuvend, nismat nuk synojnë individë të veçantë, por janë domosdoshmëri dhe propozime të ardhura nga një organ i pavarur, siç është Autoriteti i Dosjeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje