Bota

Pse Britania vendosi të rihapet me variantin “Delta” dhe infeksionet në rritje

Britania pritet të lehtësojë ose heqë masat anti-Covid që aplikon prej 16 muajsh, duke qenë e sigurt te vaksinimi i popullsisë. Kryeministri Boris Johnson tha se masave do t’iu vijë fundi më 19 korrik.

Nuk do ketë më kufij për pjesëmarrjet në festat e martesave apo funerale, në bar-restorante, në klubet e natës, për vizitorët familjarë dhe autoritetet lokale nuk do të kenë më kompetencën t’i detyrojnë masat.

Për shkollat, udhëtimet dhe vetizolimin për ata që janë vaksinuar dhe kanë pasur kontakte me persona të infektuar, do të vendoset së shpejti.

Pavarësisht nga vendimi i fundit i Johnson, përhapja e variantit “Delta” në Britani nuk ndalet. Po përse?

Arsyeja është deklaruar nga shkencëtarët dhe studiuesit anglezë: lidhja midis infeksioneve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve, është dobësuar shumë.

Në fakt, rastet e reja arritën mbi 27,000 në një ditë, me një rritje prej 53% në një javë dhe Johnson tha se ai pret që të arrijë së shpejti në 50,000 raste në ditë, një shifër jo larg 60,000 në janar, në kulmin e valës së dytë.

Por me një ndryshim thelbësor: sot ka vetëm 1900 persona në spital me Covid, ndërsa në janar ishin 40 mijë.

Dhe ndërsa në atë kohë, një në dhjetë të infektuar përfundoi në spital, tani u ndodh më pak se një në 50.

Është dhe efekti i vaksinave: në Britaninë e Madhe, dy të tretat e popullsisë së rritur, janë imunizuar plotësisht dhe 85% kanë marrë të paktën një dozë.

Në fakt nuk është rastësi që infeksionet janë përqendruar mbi të gjitha tek të rinjtë, të cilët janë ende kryesisht jo të injektuar.

Por është mbi të gjitha kurba e vdekjes që ka qëndruar e palëvizshme prej tre muajsh. Të hënën për shembull (5 korrik), vetëm 9 vdekje me Covid u regjistruan, ndërsa në janar kishte dy mijë në ditë.

Johnson, tha se më shumë vdekje do të duhet të merren parasysh, por kjo gjë duhet të vendoset në një kontekst më të përgjithshëm: në Britaninë e Madhe, në një vit me një grip të keq, kishte 20,000 vdekje, megjithatë askush nuk kishte menduar për kufizime të tjera.

Edhe në një vit normal, duhet të merret parasysh 7 deri në 10 mijë vdekje nga gripi i zakonshëm. Në këto momente, në Britaninë e Madhe, vdekshmëria nga Covid është dukshëm më e ulët se ajo nga gripi dhe pneumonia.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në ishull, druhen se nga fundi i kësaj vere, varianti “Delta” i koronavirusit do të jetë dominues duke rritur kështu edhe më tej numrin e të infektuarve.

Sekretari i Shëndetësisë, Sajid Javid, u shpreh se numri i të infektuarve mund të shkojë në 100 mijë persona në ditë në gusht.

Javid foli për parashikimet jo dhe aq optimiste, por këmbënguli se kryeministri Boris Johnson ka të drejtë që të vijojë me relaksimin e masave, duke shtuar se ai që ka rëndësi është numri i të shtruarve në spital dhe ai i viktimave.

Sekretari i Shëndetësisë tha se deri në “Ditën e Lirisë” ai pret që rastet të shkojnë deri në 50, 000 në ditë, thuajse dyfishi i shifrave aktuale.

“Ndërkohë që lirojmë masat dhe fillojmë sezonin presim që rastet të rriten në mënyrë të konsiderueshme, deri në 100 mijë,” tha ai për BBC.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë