Politike

Pse kaq shumë zhurmë në Kuvend për votimin e emrit për në gjykatën Kushtetuese?

Në seancën e të enjtes pati një debat të ashpër mes opozitës dhe mazhorancës.

Nga njëra anë Enkelejd Alibeaj apo edhe Gazment Bardhi u shprehën se PS-ja e kishte paracaktuar emrin për në gjykatën Kushtetuese ndërsa nga ana tjetër Rama e mohoi.

Grupi “Alibeaj” akuzoi PS se kishte vendosur për votim të fshehte mes emrash për Gjykatën Kushtetuese duke nxjerrë “në Pazar” vota fluide për Dvoranin, (i duhen 84 vota pasi renditet i dyti ne listë) në një kohë kur Rama e deklaroi publikisht se nuk do të mbështeste kandidatin e firmosur nga 13 deputetë të PD-së Ledio Braho për Avokatin e Popullit.

Por kush janë tre emrat për në gjykatën Kushtetuese?

Komisioni parlamentar i Ligjeve kaloi të hënën vetëm me votat e socialistëve 3 kandidatët që do të votohen në seancë plenare për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kishte dërguar në Kuvend një listë me 4 kandidatë të renditur sipas një pikëzimi të vlerësimit të tyre, nga të cilët sipas përcaktimeve ligjore Kuvendi voton një prej tre emrave të parë të listës.

Lista kryesohej nga Marjana Semini me 93.66 pikë, ndjekur nga Ardian Dvorani me 92.44 pikë, Gent Ibrahimi me 88.38 dhe Arta Vorpsi me 88.22 pikë.

Por Ibrahimi, i listuar i treti, ishte dekretuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës disa ditë më parë.

Komisioni vendosi që të mos marrë parasysh emrin e tij dhe të zhvillojë seancë dëgjimore me 3 kandidatët e tjerë.

Semini dhe Dvorani u paraqitën në seancë dhe parashtruan platformat e tyre për Gjykatën Kushtetuese dhe arsyet pse kërkonin të ishin anëtarë të saj.

Ndërsa, Vorpsi nuk u paraqit në seancë.  

Duke iu referuar nenit përkatës në Kushtetutë, ku përcaktohet se fituesi zgjidhet mes 3 emrave të parë të listës, Vorpsi shkruante se “duke qenë se jam renditur e katërta, nuk e konsideroj me vend që të marrë pjesë më tej në procesin e përzgjedhjes nga ana e Kuvendit”.

Deputeti Gazmend Bardhi tha se kjo letër ishte shprehje e dorëheqjes nga gara dhe komisioni nuk mund ta çonte emrin e saj për votim në seancë dhe kësisoj procesi ishte i parregullt vetëm me 2 kandidatë.

Por, socialistët këmbëngulën se letra e Vorpsit nuk ishte tërheqje nga gara.

Me shumicë votash komisioni kaloi në seancë të tre kandidatët, pa pjesëmarrjen në votim të  deputetëve të opozitës.

Për tu bërë anëtar i Gjykatës Kushtetuese njëri prej kandidatëve duhet të sigurojë 84 vota në Kuvend.

Nëse asnjëri prej tyre nuk arrin këtë shumicë të cilësuar, atëherë anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet automatikisht kandidati i renditur i pari në listë nga sistemi i pikëzimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë