Komunitet

Pse nuk jemi akoma gati të nxjerrim fëmijët nga jetimoret

Konkretizimi i deinstitucionalizimit të fëmijëve pa kujdes prindëror ka shkaktuar mjaft shqetësim në opinionin publik ditët e fundit, ku të parat për këtë çështje kanë reaguar kujdestaret e shtëpisë së fëmijëve parashkollorë në qytetin e Vlorës.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka deklaruar ditë më parë se do të nisë një proces kontrolli për këtë çështje.

Por çfarë është deinstitucionalizimi? Në VKM-në e vitit të shkuar, të përpiluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, thuhet se deinstitucionalizimi është procesi i planifikimit të integruar të transformimit të institucioneve,duke synuar reduktimin e numrit të fëmijëve në institucione deri në eliminimin e tyre, duke iu siguruar këtyre fëmijëve një mjedis familjar, në interesin më të lartë të tyre.

Ilir Çumani, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqipëtarë, ka shpjeguar për Gazetasi.al se deinsitucionalizimi është metoda klasike që kemi ndjekur tradicionalisht për dekada me radhë në frymën e shërbimeve që u janë ofruar të këtyre fëmijëve, që do të pasojë me një reformë të re, që synon tashmë shërbime më të mira ndaj këtyre fëmijëve.

Ilir Çumani

“Unë mendoj se duhet të jemi mjaft të kujdesshëm në të gjitha hapat që do të hidhen në realizimin e kësaj reforme, sepse kjo mund të na rezultojë në një bombë më të madhe sociale që do të ketë kosto edhe për fëmijët, për ata që ne i kemi në fokus për t’iu ofruar shërbime dhe për ti  integruar realisht në shoqërinë tonë. Fazat janë hap pas hapi, të cilat duhet monitoruar për rezultatet dhe do të synojnë qëllimin final, por, gjithashtu duhet patur një lloj statistike se kush janë grupet e interesit që do të përfitojnë nga këto shërbime”, shpjegon Çumani.

Ai tregon se aktualisht institucionet tona ende nuk kanë një database me numrin real të fëmijëve pa kujdesin prindër dhe të fëmijëve jetimë në Shqipëri, e për këtë arsye, kërkohet që të kemi një të dhënë zyrtare, ku të mund të kemi referenca dhe një statistikë të këtyre fëmijëve që kanë humbur familjet dhe kujdesin prindëror, për t’u klasifikuar sipas kategorive sipas nevojave që ata kanë në marrjen e shërbimeve.

Kujdestaret e shtëpisë së fëmijës parashkollore në Vlorë shpjeguan për mediat se që prej dhjetorit të vitit të shkuar nuk kanë pranuar akomodimin e fëmijëve të kësaj kategorie në këtë institucion. Por, nga ana tjetër kanë deklaruar se fëmijët dhe familjet e rriskut nuk janë ende të përgatitura për këtë proces.

“A ka potenciale njerëzore e profesionale, ashtu dhe kapacitete financiare shteti ynë që të përballojë këtë politikë kaq të fortë deinstitucionalizimi, sepse kjo është një reformë që kërkon mbështetje financiare të fuqishme, e njëkohësisht kërkon edhe një dinamikë proceruash të rrepta e rigoroze në tërë kompleksitetin e vet.  Jo vetëm të nevojave dhe shërbimeve që iu duhen këtyre fëmijëve por edhe në aspektin psiko – social, ekonomik, arsimor, kulturor,  dhe të mjaft shërbimeve të shumta që ata duhet të përfitojnë. Pra, a jemi përgatitur ne si Shqipëri me mundësitë tona modeste të përballojmë një reformë të tillë kaq ambicioze që t’i përafrohemi vëndeve të Bashkimit Europian…!? Unë mendoj se jo, duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe të mos bëhemi euforik! Mëtoj të perifrazoj dhe të mbështesë plotësisht mendimin e profesor Përbarim Kabo, i cili thotë se Shqipëria ende nuk e ka luksin që me paratë e taksapaguesve shqiptarë të blejë modernitetin duke injoruar normalitetin e jetës së vendit. Sot, më shumë se kurrë ne kemi nevojë për normalitet, përballë këtij sfondi të rënduar dhe të shëmtuar social në të cilën po përballet pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare, veçanërisht ato grupet sociale në nevojë, pjesë e të cilëve është edhe ajo e fëmijëve pa familje që kanë humbur kujdesin prondëror – shton Çumani për Gazetasi.al.

Ndërkaq, në një takim me përfaqësues të institucioneve të përkujdesit social dhe organizmave ndërkombëtarë si UNICEF, Delegacioni i Bashkimit Europian, Save the Children, përfaqësues të pushtetit vendor e shoqërisë civile,Ministrja Ogerta Manastirliu, shpjegoi se plani kombëtar për deinstitucionalizmin synon që çdo fëmijë të ketë një familje.

“Kur kjo nuk është e mundur, patjetër që janë institucionet tona që do të presin, trajtojnë dhe të përmbushin çdo nevojë që fëmija ka. Qendrat rezidenciale do të vijojnë të qëndrojnë dhe do të transformohen, duke u fuqizuar dhe duke shtuar shërbime të reja, duke i sjellë më afër fëmijëve por edhe familjeve”, – shtoi Manastirliu.

Ndërsa Çumani shpjegon se jemi në fazat e një pamundësie për këtë proces sepse taabloja nga ana tjetër na jep të tjera të dhëna.

Sipas Çumanit, vitin që shkoi, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë zgjidhur 1098 çështje gjyqësore për divorc. Ndërsa në gjykatat e tjera në shkallë vendi janë zgjidhur rreth 6000 çështje të tilla, e Çumani shton se sikur nga 2 fëmijë të ketë në çdo familje ku janº shpallur kët divorce, jemi përballë 12 mijë rasteve të fëmijëve që janë në një situatë të vështirë, që sot jetojnë në një familje të shpërbërë.

“Sipas studimeve që janë bërë deri tani, 80% përqind e rasteve të divorceve kanë si shkak varfërinë, papunësinë dhe problemet psikosociale, vështirësitë e mëdha ekonomike në të cilat përballen familjet shqiptare, dhe kjo ndikon drejtpërsëdrejti në funksionin normal të një familje. Qëllimi kryesor i kësaj reforme ka të bëjë me hapat që duhet të ndërmarrë shteti shqiptar për fuqizimin e familjeve tona për t’i shmangur nga rrisku nëpërmjet ndërhyrjeve financiare dhe programeve mbrojtjes së këtyre familjeve në rrisk”, shtoi Çumani.

KLSH ka deklaruar se do të verifikojë formën dhe mënyrën e zhvillimit të projektit, ku e ardhmja e fëmijëve jetim është në fokusin kryesor të këtij kontrolli, për të garantuar jetesën e tyre.

Sipas Çumanit shteti duhet të fuqizojë shërbimet multidisiplinare që nga qëndrat rezidenciale dhe deri tek specialistët që merren me procedurat e kujdestarisë dhe të birësimit.

“Në Shqipëri janë mbi 31 qendra rezidenciale që ofrojnë strehë dhe shërbime  për fëmijët pa kujdesin prindëror. 80% e tyre janë fëmijë që vijnë nga familje me probleme sociale të varfërisë e të pamundësisë, dhe 20% e tyre janë fëmijë jetimë biologjik.

Nëse në kohën e komunizmit shtëpitë e fëmijëve ishin të mbipopulluara me 300 fëmijë në një institucion të tillë dhe 80% e tyre ishin jetimë biologjikë, sot ky raport është përmbysur,” shton Çumani.

Procesi i deinstitucionalizimit të jetimoreve është përfolur edhe në vitin 2016, kur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Sociale ishte Blendi Klosi, i cili është shprehur asokohe se fëmijëve jetimë do t’ju gjendet familje kujdestare dhe “ky proces do të realizohet nga bashkitë brenda këtij viti”.

“Kemi shumë vite që flasim, kemi vite e vite që themi por vetëm me një përpjekje të fortë në këto vite kemi trefishuar numrin e familjeve kujdestare. Nëqoftëse para dy vjetësh ishin 60 fëmijë, sot janë 180. Nëqoftëse vazhdojmë me këtë ritëm dhe me këtë sforco dhe me një punë më të përqëndruar, ne realisht mund të realizojmë që në fund të viti të kemi një reduktim maksimal të fëmijëve që janë rezidencial në qëndrat tona”, – tha Klosi.

Por plani i deistitucionalizimit ende vijon dhe nuk shfaq siguri. Çumani shpjegoi se ka shumë kohë që diskutohet teorikisht ky proces, por situata nuk ka ndryshuar. Ai shpjegon se taksat publike dhe të mirat materiale në Shqipëri shpërndahen në mënyrë të zhdrejtë, jo racionale, dhe kjo sjell edhe pengesa në procese e reforma të tilla si deinstitucionalizimi, sepse do ketë mungesë fondesh.

“Duke pasur parasysh se kemi një nivel të lartë korrupsioni, lind pyetja: pse pikërisht kjo reformë nis me qendrën e Shtëpisë së Fëmijëve parashkollore në qytetin Vlorë…!?

Para 30 vitesh, ka ekzistuar në fshatin Borsh një qendër pushimi  multidisiplinare kreative nga më të rëndësishmet për fëmijëve jetimë,     ku në muajt e verës pushonin për afro 3 muaj fëmijët jetim të Shtëpisë së Fëmijës shkollore në Sarandë, një qendër moderne dhe shumë bashkëkohore që shtrihej në një sipërfaqe 4 mijë metër katror buzë detit. Ishte ndër më të famshmet shtëpi pushimi për këta fëmijë në gjithë republikën. Pas viteve ’90 – të, kjo qendër i’u nështrua vandalizimit dhe shkatërrimit dhe ka mbetur ashtu me rrënoja sikur të jet jetë b bërë një luftë, pasi dikush ja ka vënë gishtin për ta gllabëruar dhe për ta transformuar.

“Reforma aktuale e deinstitucionalizimit” pse po nis me shtëpinë foshnjore të Vlorës? Pikërisht se kjo është një pronë e ndodhur në një zonë shumë të lakmuar dhe në një pikë strategjike të turizmit në Vlorë. Mos vallë i kanë vënën gishtin për ta tjetërsuar këtë prone, dhe të ketë të njëjtin fat me qendrën e Shtëpisë së Pushimit në Borsh”, – shton Çumani.

Më tej ai i bën apel të gjithë medias të bëhen njësh në mbrojtjen e kauzave të tilla, sepse fëmijët janë krijesat më të pa mbrojtura të çdo shoqërie!


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë