Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave se përse nuk ka udhëtuar drejt Bjellorusisë si President i OSBE-së për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike atje duke humbur një mundësi të mirë, ku presidenca shqiptare e OSBE-së të mund të tregojë veten.
Rama nënkupton se ftesa e tij për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës në Bjellorusi nuk është miratuar ende nga qeveria vendase.
“Disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë! Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve dhe si gjithnjë, ndërkohë që BE-ja si e tërë e disa shtete kryesore të saj e kanë mbështetur nismën e Shqipërisë dhe po punojnë ngushtësisht me ne, prej ditësh për ta marrë mundësuar misionin atje, shqipet në fjalë hedhin glasa mbi Shqipërinë nga lartësia e padijenisë së tyre!”, shkruan kreu i Qeverisë.
Kryeministri, që në cilësinë e Ministrit të Jashtëm mban edhe postin e Presidentit të OSBE, shprehet krenar për punën e bërë në një vit të vështirë të pandemisë.
“Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE për Minskun. Nuk i kemi bërë publike komunikimet e shpeshta të këtyre ditëve me aktorë të niveleve të larta në BE e jo vetëm, sepse kjo është natyra e punës në këtë fazë, por dua t’i siguroj të gjithë të interesuarit për këtë temë se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë”, mbyll ai reagimin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje