Politike

Pse po ngutet Sali Berisha në marrjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike?!

Prej Kuvendit të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, Sali Berisha ka ‘bashkëjetuar’ me grupin që zyrtarisht e refuzonte dhe refuzon ende. Por, në një nga konferencat e fundit për shtyp, ai e pranoi se po punon me deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të marrë nën kontroll këtë grup, ku publikisht ka emëruar Luçiano Boçin në vend të Enkelejd Alibeajt.

Përpjekjen e parë për ta marrë nën kontroll grupin e bëri në fund të prillit, kur me vendim të Këshillit Kombëtar të dalë nga Kuvendi i dhjetorit shkarkoi Alibeajn. Por, vendimi nuk mund të zyrtarizohet në Kuvend pa u zyrtarizuar nga gjykata e Tiranës se kush ka vulën e partisë në procesin gjyqësor që vazhdon ende.

Përveç kësaj, kryesia e grupit, ku bën pjesë edhe kryetari sipas rregullores së Kuvendit zgjidhen nga deputetët e grupit parlamentar dhe në sesionin e ri kryesia e grupit të PD-së duhet të rikonfirmohet. Parashikimet e rregullores dhe mundësinë që ofrohet me rikonfirmimin e kësaj kryesie në shtator, Sali Berisha po mundohet ta shfrytëzojë.

Këto mund të jenë mjetet, ndërsa qëllimi është një tjetër. Kontrolli i plotë i grupit i duhet Sali Berishës për të kundërshtuar nismat ligjore të ndërmarra nga socialistët, si për hapjen e dosjeve, ashtu edhe atë për të ndërhyrë në ligjin e dekriminalizimit.

Me këto dy nisma, PS ka shënjestruar hapur Ilir Metën me parashikimin e ndalimit nga e drejta për t’u zgjedhur, apo emëruar e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Por, Taulant Balla la të hapur mundësinë që ndalimi nga e drejta për t’u zgjedhur përmes dekriminalizimit të shtrihet edhe te zyrtarët politikë të ish-Partisë së Punës dhe Sali Berisha ka qenë Sekretar partie në atë kohë.

Kur u pyet se mund të përjashtohet me ligj nga Kuvendi, Berisha sfidoi mazhorancën duke thënë: “Le ta provojnë!”. Megjithatë, qëllimi i tij është parandalimi i kësaj mundësie në Kuvend, përmes marrjes së kontrollit të grupit parlamentar dhe më pas kundërshtimit të tyre edhe me votë.

Përveç kësaj, ka edhe një nismë tjetër të ngjashme të depozituar nga Enkelejd Alibeaj, që ka të bëjë me ‘dekomunistizimin e shoqërisë’, siç thotë kreu i grupit parlamentar të PD-së. Nisma parashikon një lustracion të përgjithshëm, duke deklaruar në relacionin shoqërues se deri më tani, lustracionet janë përdorur për të goditur kundërshtarët politikë.

“Në këto 30 vjet ka qenë pikërisht konceptimi i tij si mjet hakmarrjeje dhe për këtë arsye, ai ka qenë mjet i njëanshëm, që ka gjetur kundërshtim, keqkuptim, moskuptim apo refuzim nga pjesë të tjera të shoqërisë”, thotë Alibeaj.

Po në të njëjtën relacion, Alibeaj propozon një lustracion të përgjithshëm të shoqërisë, ndalim të simboleve të komunizmit, partisë komuniste, fotove të Enver Hoxhës e të tjera. Sali Berisha në dukje nuk cenohet nga kjo nismë, por thellësia në të cilën shkon dekomunistizimi e lustracioni i propozuar nga Alibeaj s’mund të lënë pa prekur ish-zyrtarët politikë të regjimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë