Elseid Hysaj do të lërë Napolin në verë, mes futbollistit të Kombëtares dhe klubit italian janë ftohur marrëdhëniet dhe për rinovim as që bëhet fjalë. Nëse nuk do të ketë ndonjë zhvillim të papritur, shkodrani do të ndryshojë skuadër pas disa muajsh dhe për momentin emri i tij lakohet më shumë në Francë.
Ka një interesim konkret nga ana e PSG-së, klubit të madh parisien, për mbrojtësin e djathtë të Kombëtares. Leonardo, drejtori sportiv i PSG-së, po sheh të gjitha alternativat për pozicionin ku luan edhe Hysaj, duke synuar të shpenzojë sa më pak. Skuadra franceze ka pasur probleme në këtë pozicion që pas largimit të belgut Tomas Meunier për të Borusia e Dortmundit.

Në bllokun e Leonardos janë emrat e Hysajt dhe spanjollit Hektor Belerin. Por lojtari i Arsenalit ka kosto të lartë, blerja e tij mund të shkojë deri në 35 milionë euro, ndaj dhe pista e Hysajt duket më e përshtatshme për PSG-në. Shtypi italian raporton se Leonardo është futur tashmë në bisedime me Xhufredin, menaxherin e Hysajt.
Në ndeshjen e fundit me Beneventon, Hysaj u aktivizua në fund si zëvendësues. Kohët e fundit shkodrani ka folur me diplomaci për të ardhmen, duke theksuar se mendon vetëm për Napolin në këtë moment, por gjasat janë që në qershor ai të veshë fanellën e kampionëve francezë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje