Mauricio Poketino është zyrtarisht trajneri i ri i PSG-së. Klubi francez e ka bërë të ditur lajmin me anë të kanaleve të tij zyrtare në rrjetet sociale. Trajneri argjentinas kishte mbërritur që dje në Paris, pasi kaloi festat e fundvitit në Londër, ku vazhdonte të qëndronte bashkë me familjen edhe pas shkarkimit nga Totenhemi në nëntor.
Poketino, 48 vjeç, shoqërohej nga dy zëvendësit e tij, Jesus Perez dhe Miguel D’Agostino, si dhe nga djali Sebastiano, i cili do të jetë në stafin e ardhshëm të PSG-së. Trajneri i ri do të prezantohet me futbollistët të dielën, në “Camp des Loges”. Ndeshja e radhës për PSG-në është ajo e së mërkurës ndaj Saint-Etien, e vlefshme për kampionatin.
Klubi i madh francez pritet që të bëjë edhe një merkato të fuqishme në janar. Pasi të ketë sistemuar disa lojtarë, si Julian Draksler, Idrisa Gueje, Ander Herrera, Tilo Kehrer dhe Leonardo Paredes, do të tentohen dy të preferuarit e trajnerit Poketino, Kristian Eriksen dhe Dele Ali.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe i nderuar që do të jem trajner i PSG-së, – ka thënë trajneri argjentinas për fazen zyrtare të klubit. – Falënderoj drejtuesit për besimin. Siç e dinë të gjithë, ky klub ka një vend special në zemrën time. Kam kujtime të mrekullueshme, veçanërisht nga atmosfera unike që krijohet në “Parc de Princes”.
Kthehem me ambicie dhe përulësi, si dhe me një dëshirë të madhe për të punuar me disa nga lojtarët më të talentuar në botë. Kjo skuadër ka një potencial fantastik dhe do të jap gjithçka bashkë me stafin për të pasur sukses në të gjitha kompeticionet. Do të japim gjithçka për t’i dhënë skuadrës atë identitetin e lojës luftarake dhe sulmuese që tifozët kanë dashur gjithmonë”. Poketino zëvendëson gjermanin Tuhel në stolin e PSG-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje