Futboll

Pulë me oriz para ndeshjes? Vardi ka një menu ndryshe, picë dhe birra!

Gjoks pule dhe oriz i bardhë është zakonisht ushqimi që konsumon çdo futbollist profesionist, – alkooli përjashtohet kategorikisht, – një ditë para ndeshjes. Por sulmuesi anglez, Xhemi Vardi, është ndryshe, sepse mbrëmjen para ndeshjes ha picë dhe pi birrë (më mirë nëse është bionde dhe belge). Dhe të gjykosh nga më shumë se 200 golat e shënuar në karrierë, duket se kjo zgjedhje e tij funksionon shumë mirë.

Dietën e pazakontë të 34-vjeçarit të Leiçesterit, protagonist absolut në titullin e 2015-2016-ës në Premier Ligë, i pari në histori për klubin, e ka zbuluar ish-shoku i skuadrës, Riçi De Laet. “Pasi erdhi të më takonte në Belgjikë, Vardi nuk rrinte dot pa birrën belge, – thotë kapiteni aktual i Anversës për “Het Nieuwsblad”. – Për shumë kohë, kur prindërit apo miqtë e mi vinin në Angli, duhej të sillnin edhe disa arka me birrë.

Vardi me fanellën e Leiçesterit. Gazeta Si, 14 mars 2021

Një futbollist profesionist e di mirë kur mund të konsumojë një pije alkoolike dhe kur jo, por Vardi bën përjashtim. Një natë para ndeshjes ha picë dhe pi birrë, por gjithsesi luan shumë mirë në fushë”.

Një ditë para ndeshjes Vardi mund të pinte edhe një shishe të tërë “Porto”. “Në 2016-ën theu rekordin e Rud Van Nistelroit, duke shënuar 11 gola radhazi në po kaq ndeshje, – tregon De Laet. – Në hotel, natën para ndeshjes së 11-të vepruam si zakonisht. I kërkuam shoferit të skuadrës të blinte një shishe “Porto” dhe ta fshinte në dhomën tonë. Unë piva një gotë, pjesën tjetër e piu ai dhe të nesërmen theu rekordin”.

De Laet dhe Vardi, kur luanin bashkë te Leiçesteri. Gazeta Si, 14 mars 2021

Rasti i Vardit nuk është i izoluar, madje ka edhe më keq, si për shembull shoku i tij i skuadrës, Marsin Vasilevski. “Marsin ishte një djalë shumë simpatik – tregon De Laet për polakun. – Një tip, me të cilin mund të qeshësh, por që bënte gjëra të çuditshme. Një herë shkova të haja me të në një restorant elegant, papritur mori gotën dhe e kafshoi, kishte copa xhami kudo, më shikonte dhe qeshte. Nuk e kuptova kurrë pse e bëri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë