Bota

Putin akuzon SHBA-të dhe Perëndimin: Duan të zgjatin luftën në Ukrainë

Gazeta Si – Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi edhe një herë Perëndimin – të cilin ai e konsideron, në fakt, si në luftë me Moskën – gjatë fjalimit të hapjes së Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë të organizuar në kryeqytetin rus.

Putin argumentoi se Shtetet e Bashkuara duan të “zgjatin” konfliktin në Ukrainë dhe akuzoi Perëndimin për përdorimin e Ukrainës si “mish për top”.

Vendet perëndimore – tha ai, siç raporton agjencia e lajmeve ruse “Tass” – “kanë nevojë për konflikte për të ruajtur hegjemoninë e tyre”, dhe për këtë ata “kanë destinuar popullin ukrainas të përdoret si ‘mish për top’”, duke mbyllur një sy ndaj përhapjes në Ukrainë të “ideologjia neo-naziste, deri në masakrat e banorëve të Donbasit”.

Sipas tij, “situata në Ukrainë tregon se Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta zvarritin këtë konflikt. Dhe po bëjnë pikërisht të njëjtën mënyrë, duke nxitur konflikte të mundshme në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine”.

Vendet perëndimore “po përpiqen me të gjitha forcat e tyre të ruajnë hegjemoninë dhe fuqinë që po u rrëshqet nga duart, ata po përpiqen të mbajnë vendet dhe popujt në kontrollin e një rendi neokolonial”, theksoi ai.

“Hegjemonia e tyre do të thotë shtrëngim për të gjithë botën, për të gjithë qytetërimin, obskurantizëm dhe shfuqizimin e kulturës, totalitarizëm neoliberal”, shtoi Putin.

“Objektivat e këtij operacioni”, përsëriti Putin, duke vazhduar të shmangë përdorimin e termit “luftë”, “janë të përcaktuara qartë: garantimi i sigurisë së Rusisë dhe qytetarëve tanë dhe mbrojtja e banorëve të Donbasit nga gjenocidi”.

Udhëheqësi rus zgjeroi gjithashtu gamën e fjalimit të tij në kuadratin e Paqësorit dhe i dërgoi një mesazh Kinës, duke argumentuar se Perëndimi synon të shtrijë një “sistem të ngjashëm me atë të Aleancës Atlantike” në Lindjen e Largët, dhe se vizita e Nancy Pelosi – presidente e Dhomës së Shteteve të Bashkuara – për Tajvanin nuk është gjë tjetër, veçse një “provokim i studiuar kundër Pekinit”: një “strategji për të destabilizuar botën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë