Presidenti rus Vladimir Putin, 68 vjeç, ka nënshkruar ligjin që e lejon atë të kandidojë edhe dy herë për presidencën dhe për këtë arsye potencialisht mund të mbetet në pushtet deri në vitin 2036.
Ligji, i ndryshuar me referendumin kushtetues, ndalon një president rus të mbetet në detyrë për më shumë se dy mandate (jo vetëm radhazi). Sidoqoftë, kjo nuk vlen për këdo që ka mbajtur presidencën para hyrjes në fuqi të ndryshimeve përkatëse të Kushtetutës (me fjalë të tjera, para vitit 2020).
Prandaj, presidenti Vladimir Putin dhe ish-presidenti Dmitri Medvedev mund të kandidojnë për presidencën edhe dy herë të tjera.
Referendumi
Rusia miratoi reformën e Kushtetutës korrikun e kaluar, e cila në mënyrë efektive “eliminon” mandatet e Putinit. Ndryshimi u miratua falë një referendumi në të cilin, 77% e atyre që kishin të drejtë vote, votuan po. Presidenti aktual, i cili tashmë ka mbajtur detyrën për 20 vjet, teorikisht mund të qëndrojë në Kremlin deri në moshën 84 vjeç.
Parakalimi i Stalinit
Putini erdhi në pushtet në vitin 2000 pas dorëheqjes së presidentit Boris Yeltsin. Nëse do të qëndrojë në këtë post deri në vitin 2036, ai do të kalonte në “jetëgjatësinë politike” edhe Joseph Stalin, i cili drejtoi Bashkimin Sovjetik për 29 vjet. Udhëheqja e ish-agjentit të KGB-së, do të bëhej kështu më e gjata në historinë e vendit të tij që nga kohërat e perandorisë së Carit.
“Rosa e çalë” dhe gara për pasardhësin
Sipas analistëve, nuk është e qartë nëse Putini dëshiron vërtet të qëndrojë në Kremlin për kaq shumë kohë. “Shtrirja” e horizontit politik, e ndihmon atë të shmangë etiketimin në fund të mandatit të tij të fundit, si një nga ata udhëheqës, që amerikanët e quajnë “a lame duck”, një “rosë e çalë”, më pak ndikuese, sepse pothuajse është jashtë loje. Në këtë mënyrë, presidenti do të shmangte ndezjen e garës për pasardhësin e tij.
Thesari familjar dhe imuniteti gjithë jetës
Ligji i nënshkruar të hënën, “i jep” Putinit (dhe ish-presidentit Medvedev) imunitet për gjithë jetën: do të jetë e pamundur të gjykohet për veprime të kryera gjatë qëndrimit të tij në krye të shtetit rus. Ka nga ata që argumentojnë se “Cari i ri”, dëshiron të marrë kohë, pasi nuk ka gjetur ende një sistem për të “siguruar” të ardhmen e tij si pensionist dhe pasurinë e akumuluar për vete dhe familjen e tij.
Loja e vitit 2008
Mandati i tij aktual presidencial, skadon në vitin 2024. Në të kaluarën, për të shmangur sundimin me dy mandate, Putini kishte bërë një hap të dukshëm mbrapa, duke marrë postin e kryeministrit në vitin 2008. Kthimi i tij në presidencë në vitin 2012, shkaktoi kritika dhe protesta në Rusi, sikundër dhe vendimi për zgjatjen e kohëzgjatjes së secilit mandat nga katër, në gjashtë vjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje