“Rusia dëshiron të shmangë konfliktin me Ukrainën dhe Perëndimin”. Duke folur në konferencën tradicionale për shtyp në fund të vitit, në prani të 507 gazetarëve (më pak se zakonisht, duke pasur parasysh masat kundër Covid), presidenti rus Vladimir Putin, sqaroi qëndrimin e Moskës.
“Kjo nuk është zgjedhja jonë (e preferuar), ne nuk e duam”. Është Perëndimi, ai që duhet të sigurojë “menjëherë, tani” garanci dhe siguri për Rusinë dhe jo anasjelltas. Putin, tha se ka pasur një “valë të zgjerimit të NATO-s drejt lindjes”.
“Ne nuk po kërcënonim askënd, ata erdhën tek ne. Ju na kërkoni garanci, por jeni ju që duhet të na jepni garanci menjëherë”, tha ai.
Udhëheqësi rus, tha se Rusia në përgjithësi aktualisht sheh “një reagim pozitiv” nga SHBA-të ndaj propozimeve të saj për sigurinë.
“Në këtë drejtim, dua të theksoj se në përgjithësi shohim një reagim pozitiv për momentin. Partnerët amerikanë na thonë se janë gati për fillimin e këtij diskutimi, të këtyre negociatave në fillim të vitit në Gjenevë. Janë emëruar përfaqësues të dy palëve. Shpresoj që zhvillimi i situatës të ndjekë këtë rrugë”, tha Putin.
Kreu i Kremlinit, megjithatë, akuzoi Perëndimin se po përpiqet ta bëjë Ukrainën “anti-Rusi, të përforcuar vazhdimisht me armë moderne dhe duke shpëlarë trurin e popullsisë”.
Rusia nuk mund të vazhdojë të jetojë në pritje të vazhdueshme të kërcënimeve të sigurisë që vijnë nga vendosja e mundshme e armëve perëndimore në Ukrainë, vijoi Putin, duke argumentuar gjithashtu se armët perëndimore mund të inkurajojnë forcat e “skifterëve” në Ukrainë që të përpiqen të rimarrin kontrollin e vendit rajoneve separatistepro-ruse dhe Krimenë, të aneksuar nga Moska në vitin 2014.
Udhëheqësi i Kremlinit, mohon të ketë plane për të sulmuar Ukrainën, por e quajti zgjerimin e NATO-s dhe vendosjen e armëve në Ukrainë një “vijë të kuqe”.
Për çështjen e gazit, Putin përsëriti se Moska dhe kompania energjetike “Gazprom” nuk kanë asnjë lidhje me rritjen rekord të çmimeve të gazit natyror në tregun evropian dhe akuzoi BE-në dhe Ukrainën se po gënjejnë dhe e kthejnë realitetin me kokë poshtë.
Sipas liderit rus, do të ishte “një problem i krijuar nga vetë evropianët”. “Ata duhet ta zgjidhin vetë, por ne jemi gati të ndihmojmë”, shtoi ai, duke kujtuar se kishte paralajmëruar BE-në të sigurojë kontrata afatgjata furnizimi.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të BBC-së, presidenti rus preku edhe temën e Aleksei Navalnit, kundërshtari kryesor i Putinit ende në burg për një dënim prej dy vjet e gjysmë që konsiderohet nga shumë si persekutim.
“Ne i kemi dërguar vazhdimisht kërkesa vendeve të tjera që të paktën të na japin materiale që konfirmojnë helmimin. Nuk ka asnjë. Na jepni një arsye për të hapur një çështje penale. Por nëse nuk ka asgjë për t’u përgjigjur, le të vazhdojmë”, shtoi ai.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje