Ne rrjet

‘Putini po trajtohet nga kanceri prej një viti’… Raporti i inteligjencës daneze: Elita ruse kërkon një lider të ri!

Sipas ekspertëve të “FE”-së, konfirmimi i Putinit si president deri në vitin 2029 është bërë vetëm "i mundshëm", por politika dhe oligarkia ruse, do të donte një person më të fortë në krye të vendit

Gazeta Si – Në kohën e pushtimit të Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin po trajtohej për një formë kanceri.

Kjo është bërë e ditur nga shërbimet e inteligjencës ushtarake daneze (Fe). Vetëm një ilaç i administruar për të trajtuar sëmundjen, dyshohet se ka ndikuar në vendimin e tij për të nisur “Operacionin Special”, 24 shkurtin e kaluar në Ukrainë.

Në raport, thuhet se Putini nuk vuante nga një sëmundje e pashërueshme, por nga dhimbje të forta kronike.

Raporti

Një nga faktorët që shkaktoi konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruan gazeta daneze “Berlingske”, ishte ndoshta medikameenti që po merrte presidenti rus në atë kohë.

Deluzionet e madhështisë janë një nga efektet anësore më të njohura të lidhura me llojin e trajtimit hormonal që po ndiqte Putini, shpjegon një nga ekspertët e Shërbimit Danez të Inteligjencës së Mbrojtjes, i intervistuar nga “Berlingske”.

Në raportin e saj vjetor, që daton në vitin 2021, “Fe” i jepte me “shumë mundësi” një tjetër mandat presidencial Putinit pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, të cilat do të mbahen në vitin 2024.

Në vitin 2022, shërbimet ushtarake daneze korrigjuan këtë vlerësim: konfirmimi i Putinit si president deri në vitin 2029, tani bëhet vetëm “e mundshëm”.

“Disa mund të mendojnë ta largojnë atë nga detyra për shkak të shëndetit të dobët”, – tha një oficer i inteligjencës.

E ardhmja e Rusisë

Agjencia spekulon se Putini vuan nga dhimbje të forta kronike pas disa rënieve dhe aksidenteve. “Kjo është arsyeja pse ai përpiqet të ulet dhe të mbajë gjërat. E bën për të lehtësuar dhimbjen”.

Raporti kujton se shëndeti i Putinit, siç raportohet nga media të ndryshme, do të ishte përkeqësuar pas një rënie nga kali në vitet 2000.

Vitet e fundit, ai do të ishte lënduar edhe gjatë mësimeve të xhudos dhe hokejit. Ekspertët e “FE”-së nuk presin që Putin të vdesë për shkak të kushteve të tij shëndetësore, por besojnë se me kalimin e kohës elita ruse do të kërkojë një person më të fortë në krye të vendit.

“Ne kemi një përshtypje të fortë se një pjesë e institucionit e kupton se ata po shkojnë në drejtimin e gabuar”, – shtoi oficeri i inteligjencës ushtarake daneze.

Probleme me shpinën

Në muajt e fundit, spekulimet e para për shëndetin e Putinit kanë të bëjnë me shpinën e tij, pra problemet e mundshme të shtyllës kurrizore për shkak të dëmtimeve të mëparshme sportive, siç përmendet dikur nga “vasali” bjellorus, Lukashenko, apo edhe një neoplazmë të palcës kurrizore, simptomat e së cilës do të ishin të pajtueshme me disa vështirësi në ecje dhe shqetësim të caktuar postural të Putinit.

Ai vetë, kujtoi dikur “dhimbjet shumë të forta të shpinës” që pësoi babai i tij (i cili vdiq më 2 gusht 1999 për arsye të paqarta), duke treguar një predispozitë të mundshme trashëgimore.

Një tjetër hipotezë mbi patologjitë e Putinit, ka të bëjë me Covid-19: në detaje, mundësia që një formë e “Long-Covid” mund të ketë prodhuar një mjegull njohëse.

Zemërimi i shkaktuar nga trajtimet e kancerit

Të tjerë argumentojnë se ai do të vuante nga çrregullime të trurit të shkaktuara nga demenca, pasojat e sëmundjes së Parkinsonit ose do të kishte sulme të tërbimit të shkaktuara nga trajtimet steroide për të kuruar kancerin.

“Daily Mail” iu kthye gjithashtu problemeve të supozuara shëndetësore të presidentit rus, duke cituar burime të inteligjencës perëndimore pranë Kremlinit.

“Një specialist e vizitoi Putinin 35 herë në Soçi”

Teoritë rreth kancerit të mundshëm të tiroides së Putinit, janë përhapur gjithashtu në internet dhe në gazeta.

Kjo u zbulua nga një investigim i “Proekt”, një media e pavarur ruse e specializuar në gazetarinë investigative, e cila tregon listën e mjekëve që shoqërojnë presidentin në udhëtimet e tij.

Mjekët – duke përfshirë Alexei Shcheglov, Yaroslav Protasenko dhe Yevgeny Selivanov – e kanë vizituar Putinin për një kohë të gjatë, kur “me sa duket ai kishte probleme me shpinën”, dhe së fundmi, “Cari” do të kishte kërkuar mbështetjen e “një specialisti për kancerin e tiroides, i cili e vizitoi atë 35 herë në katër vjet në rezidencën e tij në Soçi”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë