Politike

Qëndrimet e ndryshme për Elbasanin, Basha pret drejtësinë, Meta fajëson Ramën dhe mbron strukturën e PD për votën: Legjitime

Qysh prej së mërkurës ku në Elbasan ndodhi një ngjarje e rëndë me një të vrarë dhe katër të plagosur ku të ndaluar deri më tash janë të ashtuquajtur vullnetarë të mbrojtjes së votës për Partinë Demokratike, kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka mbajtur një qëndrim fare të shkutrër në mënyrë të tërthortë në një nga tubimet e tij.

Të enjten në mbrëmje, Basha foli më gjatë por sërish ftohtë dhe i distancuar.

“Është një ngjarje shumë e rëndë. Me lejoni ta nis duke i uruar shërim të shpejtë efektives së policisë. Ju kërkoj të gjithëve të presin me durim, derisa drejtësia të zbardhë të vërtetën. Shqiptarët janë të tejngopur me këtë fenomen të shit-blerjes.

Ajo që do bëjmë më 25 prill, është se do të mbyllim këtë bashkëpunim të errët të pushtetit me krimin, që na ka dëmtuar në shumë procese, sidomos në integrimin e vendit.

Jam plot me besim se këtë të diel, shqiptarët, të cilëve iu ka ardhur në majë të hundës shit-blerja e votës, do të votojnë masivisht për numrin 9, duke i hapur rrugë integrimit të vendit.

Këto janë ngjarje që i bëjnë jehonë 8 viteve që duam të lëmë jashtë, janë ngjarje që tregojnë se Edi Rama e di që më 25 prill e pret humbja dhe tregojnë panikun dhe dëshpërimin e tij.

 Shumica e njerëzve në PS janë të ndershëm, të thjeshtë, dhe kërkojnë zgjidhje për familjet e tyre. Ata janë vëllezërit tanë, që mezi presin ndryshimin. I ftoj që më 25 prill të votojnë numrin 9. I garantoj që qeveria e ardhshme do të jetë e gjithë shqiptarëve”, tha Basha i ftuar në emisionin “Frontline” në News24.

Por ndryshe nga Basha, Presidenti Ilir Meta i ftuar në një tjetër studio kishte një qëndrim tjetër.

“Konfliktin ne Elbasan e stisi Edi Rama, i cili është i vetmi përgjegjës për atë situate dhe për te gjitha zhvillimet dramatike aty. Ngjarja e rende ndodhi ne praninë e policisë, qe tregon se ky është një shtet i kapur nga krimi”, tha Meta.

Presidenti iu përgjigj tërthorazi edhe qëndrimit të ambasadores Yuri Kim sipas së cilës grupet e armatosura për mbrojtjen e votave. janë një gjë e tmerrshme që s’ka lidhje me një shtet të NATO-s.

“Struktura për mbrojtjen e votës është një e drejte legjitime e opozitës, ne kushtet kur Damiani ne vend qe te ishte sot ne burg është kandidat për deputet, kur struktura kriminale te Rilindjes vazhdojnë me manovra për blerjen e votës dhe presione ndaj qytetareve.

Për ketë oferte te tyre poshtëruese, Rilindja do ndëshkohet ne mënyrën me shembullore me 25 Prill”, reagoi Meta.

Ndërkohë, Lulzim Basha në anën tjetër përforëcoi qëndrimin se nuk do të ketë bashkëqeverisje me Ramën, u shfaq i sigurtë se do të fitoje, por ndryshe nga Rama, nuk tha se sa mandate do të marrë opozita këto zgjedhje.

“Edi Rama nuk do të jetë kurrë pjesë e bashkëqeverisjes sonë. Ne do të qeverisim vendin…”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë