Politike

Qeveria është larg mbajtjes së premtimit për mbylljen e legalizimeve, mbi 150 mijë objekte s’kanë përfunduar procedurat

Agjencia Shtetërore e Kadastrave është shumë larg realizimit të premtimit të vendosur nga Qeveria ‘Rama’, ku zotohet përmbyllja e procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje brenda këtij viti.

Gazeta Si iu drejtua ASHK-së me një kërkesë për informacion ku adresuam tre pyetjet: Sa është numri i ndërtimeve pa leje në proces legalizimi? Sa është numri i banesave në proces legalizimi? A ka pas aplikime të reja për legalizime në tre muajt e parë të këtij viti, nëse po sa është numri i tyre?

Sipas përgjigjes së kthyer nga Agjencia, janë mbi 150 mijë objekte për të cilat nuk kanë përfunduar ende procedurat administrative.

Në total, ASHK thotë se janë rreth 389 mijë aplikime nga 2006-ta deri në prill të këtij viti. Nga këto, 2411 aplikime janë të reja, që janë bërë në tremujorin e parë të këtij viti.

Premtimi i Qeverisë i hedhur edhe në programin për mandatin e tretë flet për përmbylljen e legalizimit për të gjitha ndërtimet banesa. Por, edhe ky premtim është larg realizimit.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës thotë se gjysma e aplikimeve janë për ndërtime banimi, që do të thotë se nga mbi 150 mijë aplikimet që po përpunohen, rreth 75 mijë janë shtëpi e apartamente për të cilat procedurat administrative të legalizimit nuk janë përfunduar.

Kësaj shifre i shtohen edhe rastet kur ndërtuesit po ndjekin në gjykata refuzimin e legalizimit nga ASHK. Kjo shifër përllogaritet në rreth një mijë të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë