Politike

Qeveria “Kurti” drejt rënies, LDK tërhiqet nga koalicioni dhe nis mocion mosbesimi

Kosovës mund t’i duhet që të përballojë emergjencën e koronavirusit me një qeveri tranzitore. Lidhja Demokratike e Kosovës u tërhoq nga koalicioni me Vetëvendosjen pas përplasjeve për shkarkimin e ministrit të Brendshë, Agim Veliu dhe mosdakordësisë për shpalljen apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme.

Kryeministri Albin Kurti tha se ishte kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, por nuk e përjashtoi që kjo të diskutohej në ditët në vijim. Ai sqaroi se arsye se përse kishte vendosur shkarkimin e ministrit të LDK-së në Qeveri lidhej me një deklaratë të tij të bërë mbrëmjen e së martës.

“Ish-ministri i Brendshëm Veliu që në mesnatë në një televizion ka përhapur panik duke thënë se numri i të infektuarve po rritet nga ora në orë. Të thuash pa asnjë kujdesi dhe bazë shkencore dhe raporti zyrtar institucional se numri i të infektuarve po shtohet nga ora në orë. Është e papërgjegjshme dhe kur ke përgjegjësi ekzekutive është edhe e dënueshme. Përveçse u gënjye në televizion për të shtuar panik, ish-ministri tha se ishte për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ndaj, unë nuk kisha zgjidhje tjetër sot përveçse ta liroj nga detyra ish-ministrin Veliu”, deklaroi në një konferencë për shtyp Kryeministri Albin Kurti.

Isa Mustafa akuzoi më herët Albin Kurtin se kishte shkelur marrëveshjen e bashkëqeverisjes duke mos konsultuar me të shkarkimin e ministrit të LDK-së. Por, vetë Kurti mendon të kundërtën.

“Kam njoftuar gjysmë ore përpara kryetarin e LDK-së dhe kam kërkuar një emër tjetër për këtë post. Kam kërkuar një emër tjetër për atë që shprehu një tradhti të dyfishtë, ndaj Qeverisë një dhe Policisë së Kosovës dy”, tha Kurti.

Para kësaj daljeje për media të Albin Kurtit Lidhja Demokratik e Kosovës mblodhi kryesinë e saj, nga ku pritet që është vendosur nisma për mbajtjen e një mocioni mosbesimi në Kuvend. Pas kësaj mbledhjeje, Isa Mustafa e konfirmoi këtë nismë, ndërsa shtoi se shkak për rrëzimin e Kurtit nuk është vetëm shkarkimi i Veliut, por edhe përplasja me SHBA.

“Problemi themelor është relacioni me SHBA-të që për herë të parë SHBA-ja po merr sanksione ndaj Kosovës, për shkak se një qeveri po tregohet krejtësisht e papërgjegjshme”, u shpreh ai.

Zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti tha se me vendimin për shkarkimin e Agim Veliut, Albin Kurti nënshkroi shkarkimin e vetvetes, ndërsa Isa Mustafa kishte mbështetur më herët idenë e Hashim Thaçit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ndërkohë, Albin Kurti e cilësoi të papërgjegjshme kërkesën e Hashim Thaçit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Thaçi e ka firmosur dekretin për shpalljen e saj, por nevojitet ratifikimi nga ana e Kuvendit që ajo të hyjë në fuqi.

“Nuk kam ndaluar Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe policinë në përdorimin e kapaciteteve të tyre që të themi se na duhet të marrim masën ekstreme të gjendjes së jashtëzakonshme. Kërkesa për gjendjen e jashtëzakonshme ishte e palogjikshme, e paarsyeshme, e papërgjegjshme dhe e padobishme një kërkesë e tillë”, u shpreh ai.

Kurti tha se mbetet në kontakt me drejtuesit e institucioneve të tjera të vendit, ndërsa hodhi poshtë akuzat e opozitës se po çon në një kurs përplasjeje Kosovën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Si ka mundësi që Kosova me një popull pro amerikan zgjedh një kryeministër antiamerikan?”, tha ai.

Kreu i Vetëvendosjes i qëndroi vendimit për të hequr gradualisht taksën ndaj Serbisë dhe vendosjes së reciprocitetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë