Politike

Qeveria mendon një tjetër shtyrje të afatit të pasaportave që skadojnë

Qeveria po shqyrton mundësinë e shtyrjes së vlefshmërisë të pasaportave dhe kartave të identitetit që kanë skaduar, ose që skadojnë përgjatë periudhës së emergjencës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Aktualisht nuk ka një draft, apo propozim zyrtar, por gazeta “Si” mëson se në tryezë janë dy variante për shtyrjen e vlefshmërisë së këtyre dokumenteve.

Varianti i parë që po diskutohet është që vlefshmëria e pasaportave dhe e kartave të identitetit pa afat në varësi të zgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe rikthimit në normalitet të lëvizjes dhe mundësisë së qytetarëve për të aplikuar për dokumentat e reja pranë zyrave të kompanisë Aleat.

Varianti i dytë që po diskutohet, gazeta “Si” mëson se është shtyrja e vlefshmërisë së pasaportave dhe kartave të identitetit me tre, ose me gjashtë muaj dhe më pas zgjatja e këtij afati nëse do të vlerësohet si e nevojshme.

Në fakt, zyrat e Aleat kanë qëndruar të hapura deri këtë të hënë, kur Ministria e Brendshme njoftoi shkurtimisht se ato do të mbylleshin për një javë, por pa përcaktuar arsyen e mbylljes. Megjithatë, për shkak të masave shtrënguese të lëvizjes, qytetarët e kishin thuajse të pamundur që t’u drejtoheshin këtyre zyrave për të aplikuar për dokumentacionet e rinovuara.

Shtyrja lind si domosdoshmëri edhe për faktin se një pjesë e mirë e atyre që u skadojnë pasaportat dhe kartat e identitetit ndodhen aktualisht jashtë vendit, kryesisht në Itali dhe Greqi, ku gjithashtu janë ndërmarrë masa të forta kufizuese të lëvizjes.

Përveç këtyre masave që vështirësojnë lëvizjen e tyre nëpër shtetet ku jetojnë, rinovimi i dokumentacionit bëhet mision i pamundur nga mbyllja e kufijve të Shqipërisë, ndërsa ambasadat dhe konsullatat vështirë të përballojnë të gjithë fluksin që mund të pasojë, edhe për shkak të punës me staf të reduktuar.

Duke qenë se gjithçka është ende në kuadër të një propozimi, Ministria e Brendshme tregohet e kujdesshme që të mos nxitojë në zyrtarizimin para kohe të kësaj nisme, ndërsa gazeta “Si” mëson se është duke i dhënë dorën e fundit draftit që më pas do të kalojë për miratim në Qeveri.

Shtyrjen e vlefshmërisë së pasaportave dhe të kartave të identitetit që skadojnë përgjatë periudhës së masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit e paralajmëroi që më 12 mars Kryeministri Edi Rama.

Kjo nuk është hera e parë që do të ndodhte. Një nismë e ngjashme u konkretizua një vit më parë, kur Ministria e Brendshme shtyu vlefshmërinë e kartave të identitetit dhe të pasaportave që skadonin, por për një tjetër qëllim. Në atë kohë, shtyrja u argumentua me faktin se mbi 1 mln karta dhe pasaporta skadonin para zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe për t’u mundësua qytetarëve që të votonin vlefshmëria e tyre u shty për në fund të 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë