Politike

Qeveria miraton projektligjin për kultivimin e kanabisit

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për zhvillimin dhe kontrollin e bimës së kanabisit, për arsye mjekësore.

Tashmë projektligji, pasi të shqyrtohet në komisione, do të kalojë në Kuvend për miratimin final.

“Projektligji përcakton të gjithë kuadrin rregullator se si do të kontrollohet dhe menaxhohet kultivimi i kanabisit mjekësor për qëllime mjekësore. Jemi konsultuar me ekspertë vendas dhe të huaj për 1 vit. Do të krijohet Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit”, tha Manastirliu në konferencës pas mbledhjes së qeverisë, duke shtuar se do të krijohet edhe një regjistër për këtë industri, për subjektet dhe lejet e dhëna.

Foto nga konferenca pas mbledhjes së Qeverisë.

Në tetor 2022 ishte Ministria e Brendshme ajo që hodhi në konsultim publik draftin e parë për legalizimin e kanabisit në vend, me qëllime mjekësore dhe industriale.
Për monitorimin e këtij procesi do të krijohet Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit. Agjencia drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm struktura dhe organika e saj miratohen me urdhër të Kryeministrit. Pranë Agjencisë ngrihet Komisioni i Licencave për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve të paraqitura për marrjen e licencës sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Në draftin paraprak thuhej se “për ata që mund të ushtrojnë këtë aktivitet do të shpërndahen licenca 15-vjeçare, që vendos disa kritere, nga kapitali 100 mln lekë tek hapësira e kultivuar deri në 10 hektarë dhe jo më pak se 5 hektarë”. Gjithashtu sipas draftit të atëhershëm, sipërfaqja totale në vend nuk mund t’i kalojë 150 hektarët. Territoret ku do të bëhet kultivimi do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Licencat u jepen vetëm aplikantëve që kanë eksperiencë në kultivimin dhe prodhimin e kanabisit në një nga vendet e OECD-së.

Opozita e pati kritikuar projektligjin e propozuar nga kryeministri Edi Rama. Deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj e pati quajtur këtë veprim “një çmenduri”, pasi legalizimi sipas tij do të lehtësonte prodhimin e mëtejshëm të kanabisit për qëllime trafikimi nën maskën e përdorimit mjekësor.

Edhe Konfindustria i pati kërkuar politikës që të mos miratojë projektligjin e “Amnistisë fiskale” dhe atë të “Kanabisit mjekësor” pa miratimin paraprak të partnerëve strategjikë ndërkombëtarë. Në rast të kundërt, sipas Konfindustrisë, jo vetëm, që nismat në fjalë rrezikojnë të dështojnë, por edhe të prodhojnë pasoja të rënda për ekonominë, biznesin, integrimin dhe detyrimet e Shqipërisë në BE dhe strukturat euroatlantike.

Nga vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut ka miratuar e para që në verën e 2021-shit legalizimin e kanabisit. Kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev tha se synonte ta kthente Maqedoninë e Veriut në një prej superfuqive të ardhshme të kanabisit në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë