Qeveria ka mohuar lajmin e përhapur nga mediat britanike, sipas të cilit po zhvillon bisedime sekrete me Londrën për ngritjen e një kampi strehimi emigrantësh të paligjshëm në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi lajm të rremë dhe tha se nuk e dinte se cilat ishin arsyet e përhapjes së këtij lajmi.
“Shqipëria nuk do të jetë kurrë nga ato vende që do të ketë kampe emigrantësh”, tha ai në përfundim të një takimi në selinë e PS-së me kordinatorët e partisë në rrethe.
Ndërkohë, përmes rrjeteve sociale ka reaguar edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, që mesazhin e ka përcjellë në anglisht, ku shpreh “keqardhjen e zhgënjimin” për këtë lajm të rremë. Në reagim, ajo “korrigjon” edhe lapsusin e medias britanike mbi gjininë.
“I njëjti lajm i vjetër i rremë këtë herë në faqen e parë të një gazete të respektuar si The Times! Meqë ra fjala unë nuk jam një “ai”, por një “ajo”, që gjithmonë e ka admiruar cilësinë e mediave britanike. E trishtë!”, shkruan Xhaçka.
“The Times” shkruan në një artikull ekskluziv se bisedimet mes Qeverisë britanike dhe asaj shqiptare për ngritjen e një kampi strehimi për emigrantët e paligjshëm që kapen në Britani ishin në fazën teknike të tyre. Sipas artikullit, për një refugjat të strehuar, Shqipëria do të paguhet rreth 120 mijë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje