Politike

Qeveria mohon se tatimet u përdorën politikisht në rastin “Duka”

Ministria e Financave thotë se aksioni i tatimeve në bizneset e Agron Dukës nuk ka lidhje me përplasjen mes vëllait të tij, Armand Duka me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi se aksioni ka qenë rastësi dhe tatimet kanë zbatuar procedurat ligjore pas disa denoncimeve që kanë marrë nga qytetarët.

“Tatimet funksionojnë në bazë të ligjeve dhe procedurave. Rasti në fjalë është rastësi që ka ndodhur në këtë moment, pas një denoncimi, pas disa denoncimesh që kanë ardhur. Administrata ka detyrimin që denoncimet t’i kryejë dhe përfundojë brenda afatit 7-ditor”, deklaroi ajo.

Ibrahimaj u pyet në daljen para gazetarëve në përfundim të mbledhjes së qeverisë këtë të mërkurë, nëse në këtë rast tatimet ishin përdorur politikisht.

Ministrja tha se subjektet e Agron Dukës ku është ushtruar kontrolli janë objekt kontrollesh të shpeshta, ashtu si subjekte të tjera sipërmarrëse si pjesë e objektivave, sipas saj, të uljes së informalitetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë