Qeveria ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e vendit për shkak të pandemisë së koronavirusit, që ka shkaktuar 5 viktima dhe ka prekur 123 persona të tjerë.
Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe ai ka hyrë në fuqi menjëherë. Sipas këtij vendimi, Komiteti Ndërministror i ngritur pas shpalljes së fatkeqësisë natyrore pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar do të jetë jetë sërish organi më i lartë i koordinimit dhe bashkërëndimit të punës mes institucioneve shtetërore.
Ky organ drejtohet nga Arben Ahmetaj.
Partia Demokratike e ka përshëndetur këtë vendim dhe thotë se duhet të vijohet pa humbur kohë me plotësimin e masave për komensimin e dëmëve dhe procedurave të tjera për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
“Akti i shpalljes së masës së jashtëzakonshme duhet plotësuar pa humbur më asnjë ditë nga Qeveria me vendimin për masat e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe dëmet dhe subjektet që kompensohen. Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, është detyrim i shtetit shqiptar të përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie”, thuhet në deklaratën e PD.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi pesë ditë më parë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, që sipas tij ishte një mekanizëm që do ta detyrojë Qeverinë që të plotësojë pa vonesa nevojat jetike të qytetarëve dhe të sipërmarrjes në vështirësi.
Vendimi i beftë i Qeverisë për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore mbërrin një ditë para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, mbledhje e thirrur nga Presidenti Ilir Meta. Edhe ky i fundit kërkoi ditën e hënë që masat shtrënguese të kufizimit të lëvizjes së njerëzve të përputhen me Kushtetutën, duke nënkuptuar se qeveria duhet të shpallte gjendjen e fatkeqësisë natyrore, ose gjendjen e jashtëzakonshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje