Partia Demokratike këmbëngul në kërkesën e saj për Qeverinë, që kjo e fundit të subvencionojë nga buxheti pronarët e ambienteve të lëshuara me qira.
PD deklaron se shtyrja e qirasë nuk ndihmon as qiradhënësin dhe as qiramarrësin dhe i kërkon Edi Ramës, që sipas opozitës, të paktë njëherë të veprojë si Kryeministër i përgjegjshëm.
“Shtyrja e qirasë nuk ndihmon asnjërën palë. Ajo vetëm sa rrit borxhin e qiramarrësve. Edi Rama duhet të subvencionojë qiratë”, deklaron ish-deputetja Dhurata Çupi.
Çupi thotë se sjellja e Edi Ramës me pronën ka qenë gjithmonë armiqësore. Vendimi për mospagimin e qirave, thotë ajo, është njëri prej tyre.
Deputetja më pas rendit disa akte të Edi Ramës si Kryeministër, që prej 2013, që sipas saj janë akte kundër pronës dhe pronarëve.
“Shfuqizoi ligjin për pronat dhe miratoi një ligj grabitës për pronarët. Pas 7 vitesh, askush nuk ka përfituar asnjë m2 pronë. Miratoi një VKM që parashikon shembjet e banesave dhe ndërtimeve edhe në pronat private, qofshin edhe me leje. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi, por Rama e shpërfilli vendimin. Shembi ndërtime me leje dhe cenoi të drejtën e kompensimit të mijëra qytetarëve. Shpronësoi pronat dhe banesat e qytetarëve pa respektuar asnjë procedurë ligjore, në favor të klientëve të vet dhe aferave personale. Krijoi të ashtuquajturën Korporatë të Investimeve, që shtetëzon pronën private dhe publike për ndërtimin e fshatrave turistikë nga klientët e tij. Miratoi taksën e pronës në masë disproporcionale. Sot shqiptarët paguajnë taksën më të lartë mbi pronën në rajon”, thotë ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje