Politike

Quajti gazetarët “zagarë”, reagime kundër komenteve të Ramush Haradinajt

Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është vënë në qendër të kritikave nga ana e gazetarëve dhe shoqatave të gazetarëve në Kosovës pas deklaratave të bëra në një emision televiziv, ku i quajti gazetarët “zagarë”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dalë me një deklaratë ku i vlerëson të papranueshme, ofenduese dhe cenim të lirisë së shprehjes komentet e kreut të AAK-së.

“Etiketimet si këto nga ish-kryeministri i vendit për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, janë tërësisht të papranueshme dhe cenojnë rëndë lirinë e shprehjes. AGK u bën thirrje përfaqësuesve të shtetit dhe liderëve politikë që të njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të përmbahen nga ushtrimi i presioneve ndaj tyre. Secili sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë në vend”, thuhet në deklaratë.

Haradinaj quajti “zagarë” gazetarët që raportuan nga Uashingtoni zhvillimet para, gjatë dhe pas firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë. Haradinaj fillimisht e kundërshtoi marrëveshjen dhe kërcënoi me tërheqje nga koalicioni nëse në të përfshihej Liqeni i Ujmanit, por më vonë doli në mbështetje të kësaj marrëveshje, duke u shprehur se “shqetësimet e tij për Ujmanin nuk kishin bazë”.

Haradinaj hamendëson se sulmet e medias ndaj tij janë të orkestruara.

“Kur më kanë thënë mua që ty do të sulmojnë, m’i kanë lëshuar menjëherë zagarët në shpinë. Zagarët janë shumë gazetarë mercenarë që me një kaçik të sulmojnë. Menjëherë më kanë sulmuar, në sekond sikur kam kundërshtuar për Ujmanin. Shihni prononcimet e gazetarëve tanë në Kosovë që kanë shkuar atje, gazetarët serbë nuk bëjnë kështu. Gazetarët serbë, e mbrojnë Vuçiçin. Gazetarët që kanë qenë në Uashington, shihi statuset…”, ka deklaruar Haradinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë