Kryeministri Edi Rama akuzoi Lulzim Bashën se po kërkon që të vijë në pushtet me ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve të tjera të vendit të lidhur me botën e krimit.
“Në Shqipërinë e vitit 2021, ne duhet të kemi përballë këtë farë lloji konglomerati, me bingot, me drejtorët e policisë që shisnin operacionet te banditët. Ju kujtohet sa oficerë policie janë vrarë në kohën kur qeverisnin ata. Nuk vriteshin se nuk dinin të luftonin, vriteshin mbrapa shpine. Vriteshin nga telefonatat për ata të tjerët, ata që janë te ato makinat e Lulit. I thonin, “po vijnë”, ata përgatiteshin dhe vriteshin njerëzit e ndershëm të Policisë së Shtetit. Janë te ato makina e mezi po presin të dalin nga makinat. Të fillojë bixhozi, të fillojë nga e para lidhja me gjithfarë soji kriminelësh dhe Policia e Shtetit prapë të drejtohet nga influenca e kriminelëve”, tha Rama.
Rama foli nga Fushë Kruja, një prej zonave më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës. Kryeministri iu referua procesit të rindërtimit si model suksesi dhe tha se ashtu siç po rindërohen shtëpitë e banorëve në këtë zonë, ashtu është në proces rindërtimi e gjithë Shqipëria.
Ai tha se PD nuk ka bërë asgjë për Krujën dhe Fushë Krujën.
“Ku ishin të djathtët kur ne pastronim plehrat që ju kishin mbuluar atje në të gjitha rrugët. Vazhdojnë luftojnë komunizmin që ka vdekur para 30 vitesh. Uji që për 100 vite meazallah se vinte, se të djathtët që i qeverisnin thoshin nuk e çonin dot se nuk e hidhnin dot përpjetë deri atje dhe u jepnin dy gishtat, po i la me dy gishta në gojë në vend të gotës së ujit”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje