Politike

Rama: Brenda disa javësh paga minimale 40 mijë lekë

Gazeta Si – Gjatë një takimi me studentët përfitues të programit të ri të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se brenda disa javësh paga minimale do të shkojë 40 mijë lekë nga 32 mijë lekë që është aktualisht.

“Dua t’ju them një sekret se jemi këtu midis nesh dhe mbase është gjëja e duhur për të ndarë me ju përpara fjalëve të tjera të rastit që paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë. Kur them shumë shpejt domethënë çështje javësh dhe do të aplikohet për të gjithë. Nuk duam të kemi pagë më të ulët se 40 mijë lekë qoftë në sektorin publik, qoftë edhe atë privat,” – deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi gjithashtu se me këtë mekanizëm pretendojnë se brenda dy viteve paga minimale do të shkojë 45 mijë lekë. Ai konfirmoi se nuk do të ketë pagë më të ulët se kaq, as në sektorin publik, as në atë privat.

Duke ndalur te emigrimi i mjekëve, kryeministri theksoi se studentët e fakultetit të mjekësisë, pas të diplomohen për tre vite nuk do të largohen nga Shqipëria.

“Nuk ka zgjedhje bardh e zi. Ka gjëra të cilat nuk i ofron dot Shqipëria dhe mund t’i gjesh patjetër në Gjermani. Ka edhe gjëra që nuk i gjen dot në Gjermani por i gjen në Shqipëri duke nisur nga shtëpia e prindërve dhe kostot e ulëta. Rritja e pagave sot që flasim, në sektorin privat do të vijojë të thellohet. Do të rrisim pagat edhe për sektorin publik”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë