Politike

Rama delegon te Spiropali interpelancën e thirrur nga Dule, deputeti përplaset me ministren për minoritetet

Kryeministri Edi Rama iu delegoi ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali interpelancën e thirrur nga deputeti i minoritetit grek në Shqipëri, Vangjel Dule.

Interpelancë ishte thirrur nga Dule në lidhje me respektimin e të drejtave të minoritetit dhe në veçanti të drejtën e pronës. Dule refuzoi që pyetjeve të tij t’u përgjigjej ministrja Elisa Spiropali.

“Depozitova kërkesën për interpelancë më kryeministrin në lidhje me politikat e qeverisë dhe respektimit e minoriteteve. Pse e kërkova me Kryeministrin, jo se nuk kam respekt, për ministren Spiropali, por për cilido. Jam njoftuar sot në mëngjes se Kryeministri nuk paska denjuar që të diskutojë me këtë çështje dhe e ka deleguar. Është mënyrë cinike, e ka të plotë mundësinë që ta bëj, por jo dëshirën. Qëndrimi i sotëm i kryeministrit Rama dëshmon se për të respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe i lirive të tyre nuk ekziston në agjendën e prioriteteve të tij”, tha Dule.

Deputeti vijoi duke shtuar se ky mbetet prioritet i Bashkimit Europian. Deklaratave të tij iu përgjigj ministrja Spiropali. Ajo tha se Shqipëria është vend model për respektimin e pakicave kombëtare dhe se atyre u garantohen liri që shqiptarëve në shumë vende të botës u mohohen.

“Kohën tuaj e shfrytëzuat dhe thatë disa të pavërteta. Ky vend është një shembull për rajonin për sa i përket respektimit të pakicave kombëtare dhe plotësimit të kuadrit ligjor. Ju garantohen liritë ekonomike e kulturor, por dhe liri të tjera që fatkeqësisht shqiptarëve në shumë vende të botës u mohohen”, tha Spiropali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë