Kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti kanë udhëtuar të martën drejt Athinës me ftesë të ish-kryeministrit grek George Andreas Papandreou. Të dy udhëheqësit janë pritur në një resort luksoz në Athinë ku po marrin pjesë në një forum të njohur si Simpoziumi i Symit. Ky samit ka bërë bashkë udhëheqës, diplomatë dhe ekspertë nga e gjithë bota dhe do të përqendrohet tek pandemia dhe sfidat për tejkalimin e saj.
Sipas mediave greke, Rama nuk ka takim të planifikuar me kryeministrin grek Qiriakos Mitsotakis, por pritet të ketë një takim me Kurtin.
Ish kryeministri Papandreou ka ndarë foto nga pritja e Ramës dhe Kurtit, duke i falënderuar për prezencën në këtë forum dhe duke i uruar të liderët për zgjedhjen në krye të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Simpoziumi Symi është një forum që mbahet një herë në vit, me mendimtarë globalë që ndjekin traditën e filozofëve antikë grekë. Forumi mbledh së bashku individë me mendime të ndryshme, prejardhje të ndryshme, intelektualë, politikanë, laureatë të Nobelit, sipërmarrës, diplomatë, shkencëtarë dhe aktivistëve për të diskutuar disa nga çështjet më emergjente të momentit. Takimi u mbajt për herë të parë në 1998, në ishullin Symi, i cili që atëherë i ka dhënë emrin Simpoziumi.
Vizita e Kurtit shoqërohet me polemika
Vizita e Kurtit në Athinë vjen në mesin e një emergjence në Kosovë. Ndërkohë që kreu i qeverië ndodhet në resortin luksoz ku po organizohet forumi, në komunën e Deçanit është shpallur situatë emergjente për shkak të helmimit masiv. Mbi 1500 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe dy të tjerë kanë gjetur vdekjen, por arsyet e helmimit mbeten ende të panjohura.
Qëndrimi në Athinë në mesin e kësaj krize nuk është pritur mirë nga mediat në Kosovë, të cilat e kanë cilësuar vizitën e kryeministrit Kurti si “një arratisje luksoze”.
“Ndërkohë që në komunën e Deçanit është shpallur situatë emergjente për shkak të helmimit, Albin Kurti, ka gjetur kohë për akomodim në një hotel luksoz në Greqi”, shkruan analisti Berat Buzhala.
Megjithatë, Kurti duket se e ka shfrytëzuar këtë vizitë edhe për t’i kërkuar edhe njëhere Greqisë zyrtare njohjen e Kosovës.

Gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, të martën, Kurit tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia “do të kontribuonte për paqen dhe sigurinë në rajon”.
“Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet bilaterale për shkak të lidhjeve të gjata historike dhe qëllimit të përbashkët për një të ardhme më të mirë në Ballkan”, tha Kurti. Kryeministri po ashtu theksoi rëndësinë që, sipas tij, ka përkrahja e shtetit grek për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Dendias, në anën tjetër, tha se Greqia po punon prej kohësh për liberalizmin e vizave” dhe se “do ta përkrahë dhe ndihmojë Kosovën në rrugën europiane dhe euro-atlantike”.
Dendias, sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e Kurtit, nuk ka folur për njohjen e Kosovës nga Greqia, por ka shprehur “vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit grek për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe për investime të reja në Kosovë”.
Kjo është viza e dytë e Kurtit në Greqi brenda këtij muaji, pasi më 8 korrik, ai ka takuar në Athinë edhe kryeministrin grek, Qiriakos Mitsotaqis. Edhe në këtë takim, Kurti ka kërkuar që Greqia t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje