Politike

Votëbesim në Kuvend dhe betim para Metës brenda së enjtes? Rama do të shkojë në OKB si Kryeministër “i ri”

Edi Rama do të udhëtojë ditën e diel drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si Kryeministër i sapo betuar i Shqipërisë në mandatin e 3-të të tij.

Pas dekretimit të Presidentit Ilir Meta të përbërjes së kabinetit të ri qeveritar, me 16 ministri, Kuvendi do të mblidhet të enjten në orën 10:00. Pas prezantimit të kabinetit qeveritar dhe programit qeverisës 4-vjeçar, deputetët do të votojnë për miratimin e saj.

Pas votës në Parlament, hapi i fundit që përmbyll të gjithë procesin e marrjes së detyrës është betimi i Ramës dhe ministrave të rinj të kabinetit qeveritar para Presidentit Ilir Meta.

Ceremonia e betimit parashikohet që të organizohet para se Rama të udhëtojë për në Nju Jork, pra më së largëti ditën e shtunë dhe më së afërmi direkt pas marrjes së votëbesimit në Kuvend, të enjten.

Punimet e Asamblesë shfrytëzohen nga udhëheqësit e vendeve në zhvillim, si Shqipëria që të mbajnë takime për të çuar përpara projekte, apo ide investimesh dhe siç duket, Edi Rama nuk do të shkojë në Nju Jork me statusin e kryeministrit në detyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë